Dy raste të tjera me koronavirus janë konfirmuar në Greqi, pasi të mërkurën u njoftua për rastin e parë, në Selanik.
Siç bëri të ditur të enjten në mesditë ministria greke e shëndetësisë, dy rastet e tjera kanë të bëjnë me:
- Djalin e 38 vjeçares nga Selaniku, që ishte e para që u ekzaminua me koronavirus dhe tashmë ndodhet e shtruar në spitalin AHEPA.
- Një grua në Athinë e cila sapo ishte kthyer nga Italia e Veriut.
Ministria bëri të ditur se do të qëndrojë e mbyllur për 14 ditë shkolla (dimotiko) 105 e Selanikut, ku mësonte djali i 38 vjeçares.
Zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë tha se po verifikohen njerëzit me të cilët ka kontaktuar edhe pacientja që po kurohet në Athinë, në spitalin Attikon që është një nga spitalet e referencës për Koronavirusin.
Gruaja kishte shkuar fillimisht në një klinikë private, ku mjekët vlerësuan se duhej t’i bënin analizat. Kur analizat dolën pozitive, mjekët e informuan për protokollin që duhet të ndiqet dhe ajo u dërgua në Attikon, ku po kurohet, në gjendje të mirë shëndetësore, siç raportohet.
Në të njëjtën kohë, siç deklaroi ministri i shëndetësisë, Vasilis Kikilias, anulohen gjithë veprimtaritë me rastin e festës së Karnavaleve.