Kompensimi i qirasë (Epidoma Stegasis), është një subvencionim mujor për mbështetjen e familjeve që kanë marrë me qira banesën kryesore të tyre.
SHUMA: 70 euro për kryefamiljarin
35 euro për çdo pjesëtar të familjes.
D.m.th., për një familje me 4 veta (prindërit dhe dy fëmijët), shuma është 175 euro në muaj.
3 kriteret që duhen përmbushur për të përfituar kompensimin
1.TË ARDHURAT. Të ardhurat totale familjare nuk duhet të kalojnë 21.000 euro në vit.
2.PASURIA. Pasuria e patundshme e familjes nuk duhet të kalojë vlerën 180.000 euro.
3.QËNDRIMI
a)Shtetasit grekë duhet të kenë jetuar në Greqi për 5 vjet pa ndërprerje çara bërjes së kërkesës për kompensim
b)Shtetasit nga vende të treta duhet të kenë qëndrim të vazhdueshëm dhe të ligjshëm për 12 vjet para bërjes së kërkesës.
Si bëhet aplikimi
Aplikimi bëhet në mënyrë elektronike në adresën www.epidomastegasis.gr qoftë nga vetë personi, qoftë nga organet kompetente të bashkisë apo komunës ku banon i interesuari.
Kompensimi jepet për 6 muaj.
Pas kësaj përfituesi aplikon përsëri për 6 muaj të tjerë e kështu me radhë.
Si bëhet pagesa e kompensimit
Vlera e kompensimit depozitohet ditën e fundit të muajit në llogarinë bankare (IBAN) që ka deklaruar përfituesi.
PYETJE – PËRGJIGJE PËR EMIGRANTËT
1.Çfarë duhet paraqitur për të vërtetuar 12 vitet e qëndrimit të ligjshëm në Greqi?
PËRGJIGJE: Shtetasit nga vendet e treta duhet të paraqitin në bashki apo në komunë lejen e qëndrimit, apo një dokument tjetër që certifikon qëndrimin e ligjshëm në Greqi. Gjithashtu vërtetimi se është aplikuar për rinovimin e lejes.
2.Emigrant, me leje qëndrimi të vlefshme apo vërtetim për rinovim (veveosi katathesis) që skadon pas tre muajsh, ka të drejtë të aplikojë për kompensimin?
PËRGJIGJE: Po, përderisa leja e tij është e vlefshme në momentin e aplikimit dhe përmbush kriterin e qëndrimit 12 vjeçar në Greqi.
3.Për fëmijtë, a kërkohet leje qëndrimi?
PËRGJIGJE: Jo, kërkohet vetëm leja e prindërve
4.Një pjesëtar i familjes nuk ka leje qëndrimi të vlefshme apo veveosi katathesis. A mund të avancojë aplikimi?
PËRGJIGJE: Po, bëhet, por nuk do të përfshihet pjesa e pjesëtarit që nuk ka leje qëndrimi. Emri i tij do të fshihet nga aplikimi.
5.Jam emigrant dhe kur shkruaj numrin e lejes së qëndrimit, sistemi nuk më lejon të shkruaj datën e skadimit. Çfarë duhet të bëj?
PËRGJIGJE: Nëse numri i lejes së qëndrimit nuk verifikohet automatikisht, nuk keni të drejtë ta plotësoni vetë datën e skadimit. Duhet të shkoni në bashki apo komunë dhe aty të finalizohet aplikimi juaj nga nëpunësi i autorizuar.
6. Kam aplikuar për t’u pajisur me leje qëndrimi fillestare. Me vërtetimin e katathesit, a mund të aplikoj për kompensimin e qirasë?
Jo, nuk mund të aplikoni. Vetëm ata që kanë veveosi katathesis për rinovimin e lejes mund të aplikojnë.