0030 210 33 18 483

Kina përgatitet për “skenarin më të keq” në mosmarrëveshjen tarifore me SHBA-në

ATSH 25 Prill 2025

PEKIN, 25 prill /ATSH-DPA/- Qeveria e Kinës po e përgatit ekonominë dhe shoqërinë e saj për një situatë më serioze mes mosmarrëveshjes së përshkallëzuar të tarifave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportoi sot agjencia zyrtare e lajmeve “Hsinhua” pas një takimi të Byrosë Politike të udhëhequr nga lideri i shtetit dhe partisë, Xi Jinping.

Komiteti Qendror i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) bëri thirrje për një planifikim adekuat për “skenaret më të këqija”.

“Themeli për një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike duhet të vazhdojë të forcohet ndërsa Kina përballet gjithnjë e më shumë me “goditje të jashtme”, tha agjencia.

Kuadrot e partisë kërkuan përmirësim të mëtejshëm të instrumenteve ekonomike për të stabilizuar punësimin dhe ekonominë, me masa politike të planifikuara që do të zbatohen herët.

Pekini thuhet se e konsideron të nevojshme një politikë monetare të lirshme dhe një ulje të normave të interesit në “kohën e duhur”.

Raporti nuk përmendi detaje specifike rreth planeve që tashmë janë shpallur pjesërisht – por njerëzit në grupet me të ardhura të ulëta dhe të mesme – pritet të fitojnë më shumë për të rritur konsumin vendas, aktualisht të dobët – dhe për të nxitur më tej motorin ekonomik.

Kompanitë e prekura nga tarifat pritet të marrin mbështetje shtesë.

Kina dhe SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuara në një mosmarrëveshje të ashpër tregtare.

Organizata e rëndësishme vendimmarrëse e Partisë Komuniste u takua pas deklaratave kontradiktore nga të dyja palët në lidhje me negociatat në vazhdim.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili vendosi tarifa deri në 145% për mallrat nga Kina, foli për takime me palën kineze.

Pekini, i cili u përgjigj me tarifa prej 125% për mallrat amerikane, i mohoi pretendimet për progres në bisedimet me Uashingtonin duke i quajtur ato “lajme të rreme”.

Megjithatë, në lidhje me importet e teknologjisë së rëndësishme nga SHBA-ja – Kina duket se është e hapur për një zbutje të masave ndëshkuese.

Duke përmendur industrinë e prodhimit të çipave, disa media raportuan se doganat kineze pezulluan tarifat për disa gjysmëpërçues.

Kjo do të ishte një shenjë e lehtësimit të tensioneve në mosmarrëveshjen midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Kina varet nga importet e teknologjisë gjysmëpërçuese, të cilat vijnë nga kompanitë kryesore të teknologjisë në SHBA.

Pekini përjashtoi mundësinë e një rritjeje të mëtejshme të tarifave të saj për mallrat amerikane, por në vend të kësaj rregulloi fuqishëm eksportin e lëndëve të para dhe magneteve të rëndësishme në fillim të muajit.

Ndaje me miqte