0030 210 33 18 483

Ke aplikuar për pasaportë? Ja se si do ta marrësh në dorëzim

TV Tribuna 01 Maj 2020

Kush ka aplikuar për pasaportë të re deri në 28 shkurt 2020, ka vetëm një mundësi që ta marrë në dorëzim.
Të kërkojë dërgimin me shërbimin kurier, duke i paguar vetë ai shpenzimet.
Kështu bën të ditur Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, në një publikim në faqen e facebook-ut.
Ambasada vë në dukje se bëhet fjalë vetëm për pasaportat, pasi kartat e identitetit duhet të merren nga vetë personi, që duhet të paraqitet fizikisht në ambasadë për t'u realizuar aktivizimi i kertës.
Ndërkaq, dërgimi i pasaportës së re do të mund të realizohet vetëm pasi të normalizohet situata, gjegjësisht, pasi shërbimi konsullor të rifillojë funksionimin. Kujtojmë se shërbimet konsullore të misioneve shqiptare në Greqi (Ambasada në Athinë dhe konsullatat ne Selanik e Janinë), janë pezulluar që nga mesi i muajit mars në zbatim të masave kundër koronavirusit.
Që të mund të marrin pasaportën e re, qytetarët duhet të dërgojnë një kërkesë në emailin e ambasadës embassy.athens@mfa.gov.al. Kërkesa duhet të përmbajë të dhënat e tyre personale, kodin e aplikimit, adresën e saktë të vendbanimit (emri dhe numri i rrugës, qyteti, rrethi) dhe numrat e kontaktit (fiks dhe celular). 
Njoftimi i publikuar në faqen e Ambasadës në Facebook ka si më poshtë:

"Në vijim të njoftimeve tona të deritanishme lidhur me funksionimin e Zyrës Konsullore në këtë situatë pandemie dhe masash kufizuese për të mbrojtur shëndetit publik, sidomos në fushën e dhënies së shërbimeve fizike që ofrohen në masë tek qytetarët, Zyra Konsullore vijon të qëndrojë e mbyllur dhe ofron shërbim vetëm për rastet urgjente.
Për të lehtësuar procesin dhe përshpejtuar dhënien e shërbimeve pas normalizimit të situatës, Ambasada njofton paraprakisht se qytetarët të cilët kanë përfunduar procesin e aplikimit për pasaportë në Zyrën tonë Konsullore deri më 28 shkurt 2020 dhe presin vetëm tërheqjen e pasaportës, mund të kërkojnë dërgimin e saj përmes postës me përgjegjësinë e tyre ekskluzive në rast vonimi, humbjeje ose dëmtimi të dokumentit.
Qytetarët të cilët dëshirojnë të marrin këtë shërbim, duhet të dërgojnë kërkesë në adresën elektronike embassy.athens@mfa.gov.al, duke bashkëlidhur të dhënat e tyre personale, kodin e tyre shumëshifror të aplikimit, adresën e saktë të vendbanimit (emri dhe numri i rrugës, qyteti, rrethi) dhe numrat e kontaktit (fiks dhe celular). Qartësohet se karta e identitetit nuk dërgohet pasi nevojitet paraqitja fizike e personit në Ambasadë për aktivizimin e saj.
Pasaporta dërgohet me postën e radhës. Ditën që do të merren në dorëzim nga kompania courier, dërgohet edhe fatura e dërgesës (tracking number). Shërbimi postar courier paguhet nga vetë shtetasit ditën që dokumenti merret në dorëzim.
Lutemi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj për të përballuar dhe tejkaluar këtë situatë të vështirë për të gjithë. Për rifillimin e punës së Zyrës Konsullore dhe zëvendësimin e takimeve të humbura për pasaportë dhe kartë identiteti të kësaj periudhe me data të reja, lutemi ndiqni njoftimet tona përkatëse në vijim. Garantojmë qytetarët se Ambasada do të punojë me të gjitha kapacitetet e saj sapo të rifillojë puna për të ofruar shërbime sa më të shpejta dhe cilësore, duke pasur gjithmonë parasysh mbrojtjen e shëndetit publik dhe masat strikte në lidhje me ofrimin e shërbimeve në masë.
Faleminderit".

Ndaje me miqte