Dy të burgosurit shqiptarët që ishin arratisur para tri ditësh gjatë hipjes në traget, janë vënë sërish nën pranga. Bëhet fjalë për Xhuliano Halilajn, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, dhe për Alfons Docin, i dënuar gjithashtu me 25 vjet për grabitje dhe trafik droge.
Ata janë kapur të premten, në orët e vona të mbrëmjes, në një apartament në zonën Nea Filadelfia.
Ishte një operacion i befasishëm, i njësive speciale të policisë.
Policia ra në gjurmët e dy të arratisurve pas një sinjalizimi anonim.
Sipas burimeve pjesëmarrëse në operacion, edhe pse ata kishin një pistoletë, nuk tentuan ta përdorin.
Vetëm njeri prej tyre u orvat të largohej nga dritarja, por hoqi dorë kur pa se e gjithë godina ishte e rrethuar nga forcat e rendit.
Apartamenti ishte thuajse bosh dhe kishte vetëm një shtrat në një nga dhomat.
Dy të arrestuarit e kanë kaluar natën në qelitë e drejtorisë së përgjithshme të policisë.