Je pa leje qëndrimi në Greqi? Ja se ku mund të shpresosh
TV TRIBUNA
04 Tetor 2019
Shumë nga shikuesit e TV Tribuna dhe lexuesit e www.tribuna-news.com na shkruajnë përditë e më shumë për problemet e ndryshme. Një pjesë e mirë e tyre janë pa dokumenta, ose u ka mbaruar prej kohësh leja e qëndrimit, ose nuk kanë pasur kurrë. Pyetja e tyre është një: si mund të pajisen me dokumenta.
Siç dihet, për këta, ka vetëm një mënyrë: të aplikojnë për leje për arsye të jashtëzakonshme. Kjo leje jepet 1) për ata që dëshmojnë një qëndrim prej 7 vjetësh në Greqi dhe 2) si prindër të një të mituri që ka marrë nënshtetësinë greke.
Kujtojmë se sipas ligjit të mëaprshëm, koha e qëndrimit që duhej të provonte aplikanti ishte 3 vjet. Por me rishikimin e dispozitave (neni 31, ligji 4540?2018), kjo periudhë u rrit në 7 vjet.
Leje për arsye të jashtëzakonshme me qëndrim 7 vjeçar
Kohëzgjatja e lejes së qëndrimit: 3 vjeçare
Kushti kryesor për të përfituar këtë leje është qëndrimi i vazhdueshëm prej 7 vjetësh në Greqi. Një mungesë e mundshme nga Greqia nuk mund të kalojë të 6 muajt për gjithë periudhën 7 vjeçare.
Çfarë duhet paraqitur në momentin e aplikimit
1. Fotokopje e gjithë faqeve të pasaportës, që kapin një periudhë 7 vjeçare para datës së aplikimit
2. Paravolo 300 euro (kodi 2108)
3. Dokumente që dëshmojnë qëndrimin 7 vjeçar. Në këto dokumenta përfshihen:
a. Dëftesa për kryerjen e studimeve në institucionet arsimore greke të vetë atyre apo të fëmijve
b. Dokumenta që vërtetojnë se kanë aplikuar për marrjen e një titulli qëndrimi, të përkohshëm ose definitiv
c. Leje pune apo dëshmi se kanë aplikuar për leje pune
d. Kopje të vendimeve të refuzimit ndaj aplikimit për marrjen e lejes fillestare të qëndrimit apo rinovimin e lejes së qëndrimit
e. Tituj të mëparshëm qëndrimi, ëpavarësisht nga autoriteti që i ka lëshuar
f. Kopje të deklaratave tatimore të viteve të mëparshme
g. Kopje të pagesës së TVSH-së (FPA)
h. Kopje e dëshmisë që ka qenë i siguruar një një ent primar sigurimesh (grek)
i. Librezë shëndeti
j. Fatura të ndërmarrjeve publke greke, si dhe të telefonisë celulare dhe fikse, në emër të aplikantit, fatura nga institucione bankare që monitorohen nga banka e Greqisë
k. Fatura për transferta parash në vendet e origjinës, përmes institucioneve monetare, kompanive të ndërmjetësimit, monitorimi i të cilave ushtrohet nga Banka e Greqisë
l. Vërtetime për ndjekjen e mësimeve të gjuhës greke në institucione arsimore publike apo private, që monitorohen nga ministria e arsimit.
m. Vendime gjyqësore
n. Vendime për dëbim administrativ apo kthim, që nuk janë zbatuar, çertifikata nga gjendja civile, vërtetime për kurim në institucionet shëndetësore.
o. Akte noteriale që u hartuan në praninë e aplikantit
p. Njoftime zyrtare ku lajmërohet për largimin nga vendi
q. Vërtetim për nxjerrjen e abonesë së transportit publik
r. Dokumente të tjerë që janë lëshuar nga një autoritet publik
s. Dokumenta të tjera private, me përjashtim të deklaratave të përgjegjësisë (ipefthini dilosi), që janë të sigluara nga një noter apo një nëpunës të shetit, në momentin e lëshimit. Siglimi duhet të ketë patjetër datën kur u krye.
Çfarë kërkohet për nxjerrjen e kartës së lejes së qëndrimit
a) 4 (katër) fotografi me ngjyra tip pasaporte (40 mm x 60 mm, pa kornizë, me analizë të lartë, në sfond të bardhë, me shprehje neutrale, etj.) si dhe në trajtë digitale në CD me format JPG 2000.
b) Taksa e kartës së lejes së qëndrimit prej 16 euro (kodi 2119)
c) Një dokument nga shteti i vendlindjes, i sigluar dhe i përkthyer zyrtarisht, ku të rezultojë qartë vendlindja.
Leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme si prind i të miturit që ka marrë nënshtetësinë greke
Kohëzgjatja: 3 vjeçare
Çfarë duhet paraqitur në momentin e aplikimit
1. Fotokopje e gjithë faqeve të pasaportës, që kapin periudhën nga data e lindjes së fëmijës deri në atë të aplikimit
2. Paravolo 300 euro (kodi 2108)
3. Çertifikatë lindjeje e fëmijës
4. Çertifikatë e gjendjes familjare të miturit – shtetas grek, ku të rezultojë nënshtetësia dhe të dhënat e plota të prindërve
5. Fotokopje e letërnjoftimeve të prindëve të të miturit
6. Akt noterial i njohjes së të miturit brenda tre vjetësh nga lindja, në rast se i mituri u lind jashtë martese (aty ku kërkohet)
Çfarë kërkohet për nxjerrjen e kartës së lejes së qëndrimit
a) 4 (katër) fotografi me ngjyra tip pasaporte (40 mm x 60 mm, pa kornizë, me analizë të lartë, në sfond të bardhë, me shprehje neutrale, etj.) si dhe në trajtë digitale në CD me format JPG 2000.
b) Taksa e kartës së lejes së qëndrimit prej 16 euro (kodi 2119)
c) Një dokument nga shteti i vendlindjes, i sigluar dhe i përkthyer zyrtarisht, ku të rezultojë qartë vendlindja.