JANIS KALPOUZOS:
Robert GORO
23 Gusht 2020
Janis Kalpouzos përbën një fenomen jashtëzakonisht të veçantë në letrat greke.
Poet e romancier i njohur, librat e tij, kyesisht me temë historike, por edhe nga ditët tona, përbëjnë ngjarje të rëndësishme për letërsinë helene dhe shënojnë shifra rekord të shitjeve: mbi 100 mijë kopje secili prej shumicës së romaneve të tij.
Në gjuhën shqipe është përkthyer romani “Sera, shpirti i Pontit” (botimet Toena), me ç’rast u gjend i pranishëm në Panairin e Librit 2019 në Tiranë, duke përmbushur një ëndër të hershme për të vizituar Shqipërinë.
Menjëherë pas kthimit, Janis Kalpouzos publikoi në Facebook përshtypjet e tij nga Shqipëria, duke theksuar që “me shumë gëzim do të vizitoj sërish Tiranën dhe qytete të tjerë të Shqipërisë”.
Siç ka theksuar në një intervistë për TV Tribuna, “...dhimbja nuk ka atdhe. Dhimbja nuk njeh as kombësi, as racë, as atdhe. Dhimbja është e njëjtë për të gjithë, qoftë shqiptar, qoftë grek apo turk. Dhe diku aty duhet të gjejmë pikat tona të përbashkëta”.
Në botime u prezantua fillimisht me poezinë, të cilës i mbetet besnik dhe i kthehet kohë pas kohe.
Poezitë që po publikojmë janë marë nga vëllimi “Poezi 2000 – 2017”.
Robert Goro
*
E quajta tokë trupin tënd
dhe tash eci prore në majë të gishtave
*
Lëvizin mes nesh
pa emër
pa ambicje.
Vdesin
po vazhdojnë të jetojnë
pa e ditur.
Muzat e panjohura
të poetëve.
*
Me shtizë, revole, granatë,
thikë, makinë,
vritmë me ç'të duash.
vetëm, hiq nga lista
syt' e tu.
*
Mos var
stolira në qafë.
Asgjë mos var.
Dua të jem vetëm unë
i varur.
*
Doli hëna
hënë e plotë
dritë e vogël
në dhomën e madhe.
Dolën syt' e tu
diell i plotë.
Dritë e madhe
në dhomën e vogël.
*
Ja pse
studioj për meteorologji.
Shi, borë, erë,
rritej apo binte temperatura
nuk më njoftoje.
Mot i paqëndrueshëm
ishte prore dashuria jote.
*
Kur mendoj për ty
prore pas cigares së parë
ndez një të dytë
e pastaj të tretë, të katërt...
Mbërrij tek e njëqinta
dhe ndez të njëqintenjëtën.
kaq nikotinë
dhe ende
s'po e hidhëron
mendimin tim.
UJI I ËNDRRAVE
Isha mal
ishe det
dhe s'kishim mënyrë tjetër për të qenë pranë.
I bëje ëndrrat e tua shi dhe dëborë,
i bëja ëndrrat e mia përrenj dhe lumenj
dhe kështu ngelim
të lidhur me ujin e ëndrrave.
GJITHË Ç'KAM NGA TI
Ujë që rrjedh në fotografinë
që shkrepën sytë e mi
gjithë ç'kam nga ti.
Një akord ngjyrash
që tek flenë erërat e shpirtit
i vesh netët dhe retë.
Por një lot si pirat
ul çelësin e syve të tu
dhe rrokjezon kaltërsinë pa qiell.
Një valëz tjetër jam i vetëm
male të egër dhe parajsë bjeshkore
në trishtim të shenjtë.
Sintaksa e natës në një rend absolut.
NJË HËNË ZJARR
Një hënë zjarr
sonte po i djeg retë
e hiri i tyre
mbulon asfaltin, strehët
duart e ndera të pemëve.
Një hënë zjarr dhe sytë e tu
e unë humnerë e thellë
një zë pa gojë
një dru që digjet
dhe gjithandej rreth meje
një ndjesi prej buzësh të bekuara
që s'po vendosin si t'më prezantojnë
në vështrimin tënd të pafajshëm.
ATË PASDITE
Atë pasdite
e lava hijen time
dhe e ndera të teret në dritën
që prore shpërndante vështrimi yt
dhe verbonte syt' e mi.
Në atë dritë
që s'po thotë të ikë nga dhoma
që nuk iku bashkë me ty, kurrë.
ANKIM
N'atë pjesë fytyre
ku të tjerët kanë sy
ai kishte dy ankime.
Aty, ku ta mbjellësh dritën që të mbijë?
NISJE DHE MBËRRITJE
Të gjithë nisen drejt lavdisë.
Rrugës, disa bëhen poetë.
RISKU
Shisje llotari,
ku fituesi merrte një vend në parajsë.
S'guxova të blija.
E sikur të humbja?...
GJUAJ ME GURË
Çdo natë gjuaj me gurë terrin
aty ku ndodhesh e fshehur.
Dëgjoj muzikën e gurit
tek shkon e vjen
dhe pastaj ndjej goditjen e fortë në ballë.
QORRSOKAK
Po t'ikësh
do të mbetet këtu trishtimi.
Po t'iki
do ta mbart me vete.
ROMANTIZËM
Do të t'them çfarë dua
do t'më thuash çfarë do
do të flasim
do të kujtojmë
dhe gjithçka do të harrojmë
duke parë, të përqafuar, hënën.
EKSPLORATOR
Një grusht rërë
nxe gjithë popullsinë e botës
e ti më vure të kërkoj
në shkretëtirën e Saharës.
PARALAJMËRIM
Çdo mëngjes kam me vdekjen të njëjtin dialog:
"A je gati? A ndjen se kreve gjithçka duhej?".
"Jo".
"Mos vono!".
MBRËMJE SOLEMNE
Në podium
i nderuari kinse modest
folësit pleksin lajka të kopjuara
drejtuesi i mbrëmjes shton superlativa.
Poshtë:
publiku i zjarrtë duartroket siç e don rasti.
Sa bukur u boshatis salla krejt!
ANALIZA
Mori një kampion nga deti, e ekzaminoi në laborator
dhe evidentoi komponentët: hidrogjen, oksigjen, jod, natrium...
Asnjë fjalë nuk shënoi për tramundanat, baticat,
plumbat apo thikat në ashtet e piratëve,
pergamenat e gumave*).
Mos rëntë letërsia në duart e ekspertëve!
----------------------------
*) Shkëmb i nënujshëm që del edhe mbi sipërfaqen e ujit.
BORA
Pesë dit' e net breronte bora
qafonte vendin, stoliste pemët, ndriçonte shtëpitë.
Ditën e gjashtë u thye streha e na pllakosi.
Fushave rrallë bie borë
E na gjeti gafil kjo bukuri kaq e madhe.
PIKËLIMA
Bie shi. E dua shiun. Veç mos të breronte në sytë e tu.
x
Shikomë. Nuk desha kurrgjë tjetër pos ëndrrave lundruese në sytë e tu.
x
Ka çaste që shtrij duart dhe sikur përqafoj gjithë botën. Por ti sërish më shmangesh.
x
Më mbaj në cep të buzëve. Ashtu si gjethja piklat e shiut.
x
Prej syve të tu vij dhe në sytë e tu shkoj përjetësisht.
x
Veç këtë dua. Të punoj ngastrat e diellit në trupin tënd.
Përzgjodhi dhe përktheu: Robert GORO
Ndaje me miqte