Është identifikuar anëtari i bandës që kreu dje pasdite grabitjen 10 milion euroshe në aeroportin Nënë Tereza të Tiranës. Ai është Admir Murataj, dhe dyshohet të jetë organizatori i vjedhjes e cila ka ngritur dhe një herë shqetësimin për nivelin e sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar të vendit.
Admir Murataj është një emër i njohur për autoritetet e drejtësisë shqiptare.
Një ndër shqiptarët që u arratisën në mënyrë spektakolare nga burgu i Trikalas në mars 2013, ai dyshohet të jetë autor dhe disa grabitjeve të bujshme të kryera vitet e fundit në Shqipëri.
Murataj, i cili mendohet të jetë truri i grabitjes së djeshme 10 milion euroshe, ku ai mbante një maske silikoni në fytyrë, mbeti i vrarë gjatë një përleshje me armë me policinë dje pak pas largimit nga aeroporti. Bashkëpunëtorët e tij mundën të largohen duke përdorur një mjet të dytë, të cilit më pas i vunë flakën, ndërsa sot policia ka gjetur të fshehur në një tunel makinën e tretë të përdorur prej tyre.
Policia po vijon një oepracion për kapjen e tyre, ndërsa mendohet se ata janë tashmë të identifikuar. MInistri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh sot optimist, ndërsa deklaroi se “reagimi i shpejtë, profesional, i përpjesshëm dhe i vendosur i Policisë së Shtetit ka sjellë si rezultat që autorët e këtij sulmi të rëndë të lënë në dorë të ekipeve të hetimit prova të shumta materiale, të cilat po i nënshtrohen procedurave përkatëse.
Grabitja e së martës ringre dhe një herë pikëpyetjet mbi sigurinë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, ashtu sikundër ndodhi dhe tre vjet më parë kur u krye po ashtu një grabitje në pistën e avionëve.