Humbja e pasaportave në Greqi, MEPJ: Qytetarët riaplikojnë pa pagesë, shërbimi - urgjent
Tribuna TV
25 Shkurt 2019
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me rastin e bllokimit të pasaportave shqiptare në Kakavijë dhe humbjen e 100 prej këtyre pasaportave në Greqi.
Ministria ka pranuar se ambalazhimi i 300 pasaportave ishte në mospërputhje me praktikat e pakove diplomatike, ndërsa ka paralajmëruar fillimin e procedurës hetimore dhe administrative për përgjegjësit.
Në njoftimin për shtyp të MEPJ theksohet se “më 13 shkurt, pasaportat e prodhuara nga kompania ALEAT po transportoheshin drejt Greqisë të ambalazhuara jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike. Nisur nga ky fakt autoritetet doganore greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kryen verifikimin e rastit dhe bllokuan pakon me të cilën transportoheshin pasaportat”.
“Pako me pasaportat shqiptare, u zhbllokua pas verifikimit të tyre dhe takimit të përfaqësuesve të Konsullatës së Përgjithshme të RSH-së në Janinë me autoritetet doganore greke. Theksojmë se ngarkesa ka qenë e shoqëruar me një dokumentacion autorizues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me anë të të cilit autorizohej një punonjëse e Kompanisë “Top Lines” të dorëzonte aplikimet dhe të tërhiqte pasaportat dhe kartat ID pranë Kompanisë ALEAT, për llogari të Ambasadës sonë në Athinë”, nënvizon MEPJ.
Sipas MEPJ, dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët kanë proceduar me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë"?? në Athinë.
“Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22:50 deri në orën 00:10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua. Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre: Këqyrja e ambientit dhe makinës; Marrja e shenjave të gishtërinjve; Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, Pervin Gjikuria në ambientet e policisë.
Menjëherë, vijon njoftimi, si në rastin e ngjarjes së parë në kufi dhe në rastin e ngjarjes së dytë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme u angazhua për të marrë masa të menjëhershme parandaluese për evitimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka nisur menjëherë të gjitha procedurat hetimore dhe administrative për të ndëshkuar në mënyrë rigoroze, sipas shkallës së shkeljes, përgjegjësit për këto praktika që shkojnë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi.
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me kompaninë ALEAT, kanë marrë masat për nxjerrjen jashtë përdorimi dhe shpalljen e pavlefshme të këtyre pasaportave, si dhe angazhimin për të përshpejtuar procedurat e riprodhimit dhe zëvendësimin e tyre.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka udhëzuar të gjitha instancat e nevojshme që qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar të riaplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja të bëhet me urgjencë.
Ndaje me miqte