Homazh për Poetin Fatos Arapi
Robert Goro
11 Tetor 2018
Fatos Arapi, një Mohikan i veçantë (për të mos thënë i vetmi), më në fund e kaloi vahun dhe shkoi të gjejë Karontin (“Akeronti* rrjedh, po Karont** nuk ka”, shkruante në një nga poezitë e tij).
Shkoi pa bujë, në moshën 89 vjeçare dhe do të varroset me një ceremoni të thjeshtë familjare. Fundja, kjo është karakteristika sipërore e të mëdhenjve: Kujtimin dhe përjetësinë e kanë krijuar që në gjallje me veprën e tyre.
E di se tashmë janë të paktë ata që e vlerësojnë krijimtarinë dhe kontributin e Fatos Arapit, përndryshe edhe nekrologjitë e botuara për Atë janë tepër lakonike – por jo për hir të poezisë së tij gjithashtu lakonike...
Personalisht do ta kujtoj gjithmonë Fatos Arapin si një nga njerëzit që patën rolin më të madh në formimin tim. Mik jete e poezie me babain tim, dikur Fatosi u ofrua madje të më mbante në shtëpinë e vet, pse besonte në talentin tim. Banesa në katin e dytë vilës te rruga e Liceut ishte për mua një nga universitetet më përcaktues: biblioteka e pasur me shkrimtarë “të ndaluar” – librat e të cilëve i përpinim si të babëzitur me Tolkën, djalin e tij të vetëm- ishte për mua një far ndriçues në errësirën që ishim te detyruar të vuanim të gjithë, por që një pakicë përpiqej ta çante, qoftë dhe në mënyrë metaforike. Kur dilja nga ajo shtëpi, natën vonë, ndihesha me të vërtetë tjetër njeri. Nuk e konsideroja veten të privilegjuar, pse mendoja që i Madhi Fatos Arapi me Lirikën gruan e tij fisnike, ia ofronin mbështetjen kujtdo që kishte nevojë. Dhe Ina e Tolka, dy fëmijtë e çiftit, bëheshin përnjëherë miq e bashkudhëtarë të tutë, duke të inkurajuar edhe ata me mënyrën e tyre...
Poetët kanë fatin e madh që edhe pas largimit fizik të mbeten mes nesh, “në ndonjë shkronjë a ndonjë varg”, siç thoshte Dritëro Agolli.
Ne, që e njohëm dhe provuam kujdesin e Fatos Arapit, e kemi atë edhe në shpirt...
-------------------------------------------------------------------
* Akeronti = sipas mitologjisë ishte lumi të cilin e kalonin të vdekurit dhe pastaj Hermesi ia dorëzonte shpirtrat e tyre Karontit**, që të përfundonin në Had (Xhehenem).
Ndaje me miqte