Hapet nga sot platforma për rinovimet. Kush mund të aplikojë
TV TRIBUNA
21 Tetor 2020
Nga dita e sotme vihet sërish në funksionim platforma e aplikimeve për lejet e qëndrimit.
Të interesuarit, duhet të regjistrohen-nëse nuk e kanë bërë- dhe të kryejnë gjithë veprimet për të mbyllur takim, me qëllim që të finalizojnë procedurën e rinovimit të lejes së qëndrimit.
Por jo kushdo mund të mbyllë takim, të paktën jo në këtë fazë.
Në njoftimin përkatës bëhet me dije se
Platforma do të jetë e disponueshme VETËM për poseduesit e lejeve të qëndrimit që skaduan në periudhën kohore nga 1 dhjetor 2019 deri në 30 qershor 2020.
Pra, aktualisht, mund të mbyllin takim vetëm ata që u skadoi leja e qëndrimit deri në 30 qershor.
Kjo kategori mund të mbyllë takime në data që fillojnë nga e hëna e ardhshme, 26 tetor, deri në 31 dhjetor.
Kujtojmë se për lejet që skadonin nga 1 dhjetori i vitit të kaluar deri në 30 qershor 2020, është dhënë shtyrje deri në ditën e fundit të këtij viti, pra deri në 31 dhjetor.
Më vonë platforma pritet të hapet edhe për kategorinë tjetër, ata që lejet u skadojnë nga 20 korriku 2020 deri në 31 dhjetor.