Greqia do të shpallë zgjerimin në 12 milje të ujërave territoriale në detin Jon, brenda këtij viti.
Deklarata është bërë nga ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrougalos.
I pyetur gjatë një interviste radiofonike nëse mbetej në fuqi deklarata e ish ministrit të jashtëm Nikos Kotzias për 12 miljet, Katrougalos është përgjigjur:
“Sigurisht që mbetet në fuqi, do ta bëjmë duke filluar nga deti Jon. Do të bëhet brenda mandatit të qeverisë aktuale, deri në tetor 2019”.
Numri dy i diplomacisë greke u është referuar sërish negociatave të bllokuara me Shqipërinë:
“Përafrimi ynë me Shqipërinë kishte avancuar jashtëzakonisht shumë, në gjithë çështjet për të cilat po negociohej. Dhe aty ku prisnim që të kishim kurorëzimin e asaj ecurie të mirë, në kremtimin e 28 tetorit, patëm ngjarjen shumë të trishtë me Kacifasin. Që nga ai moment, për arsye që për mendimin tim, më shumë lidhen skenën politike të brendshme, kishim ftohjen e klimës që ndërkaq besoj se është krejtësisht e ndryshueshme. Përpjekja jonë është pikërisht që ta rikthejmë nivelin e negociatave aty ku ishte dhe të avancojmë për zgjidhjen përfundimtare të problemeve”.
Katrougalos ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e Greqisë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Por ka përsëritur gjithashtu edhe kushtin për respektimin e vlerave europiane, duke e lidhur këtë përsëri me Shqipërinë.
“Kjo për Shqipërinë nuk do të thotë vetëm ndryshime në shtetin e së drejtës, do të thotë edhe mbrojtje e minoritetit tonë. Rrjedhimisht, fenomene si të kohëve të fundit, që në fakt janë shtetëzime të pronave të minoritarëve në zonën e Himarës, janë gjëra që vendi fqinj duhet t’i rishikojë”, ka thënë Katrougalos gjatë një interviste radiofonike në portalin News24/7.