Greqia, përmirësime në sigurinë rrugore, por aksidentet mbeten të shumta
Tribuna TV
12 Prill 2018
Greqia ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm sa i përket sigurisë rrugore në periudhën 2010- 2017, ndërkaq niveli i aksidenteve vdekjeprurëse vazhdon të mbetet më i lartë se mesatarja e BE-së. Kështu vë në dukje raporti vjetor Komisionit Europian për sigurinë rrugore, që u publikua në fillim të javës.
Më konkretisht, në periudhën 2010-2017, evidentohet një rënie e konsiderueshme e aksidenteve vdekjeprurëse në Greqi (-41%) dhe në BE (-20%). Në vitin 2017, bilanci tragjik në Greqi ishte 69 vdekje për çdo një milion banorë, për shkak të aksidenteve automobilistike. Të njëjtin vit, në Europë u shënuan 49 vdekje për çdo milion.
Në raport me 2016-n, aksidentet vdekjeprurëse në Greqi u ulën me 10%.
Në 2017, në rrugët e Europës humbën jetën 25.300 njerëz, ose 300 më pak se në 2016 (-2%) dhe 6.200 më pak nga sa në 2010-n (-20%). Komisioni Europian vë në dukje që, megjithëse kjo tendencë është inkurajuese, arritja e objektivit të BE-së që të ulet përgjysmë numri i vdekjeve nga aksidentet automobilistike në dekadën 2010-2020, do të përbëjë një sfidë të madhe.
Më tej, vlerësohet se 135.000 të tjerë u plagosën rëndë, përfshirë edhe këmbësorë, çiklistë dhe motoçiklistë. Vdekjet dhe lëndimet nga aksidentet automobilistike godasin jo vetëm viktimat, por edhe shoqërinë, teksa kostoja ekonomike dhe sociale shkon në 120 miliardë euro në vit.
Me një mesatare prej 49 vdekjesh për një milion banorë, rrjeti rrugor europian mbetet dukshëm më i sigurti në botë, edhe për vitin 2017. Suedia (25 vdekje për një milion banorë), Mbretëria e Bashkuar (27), Vendet e Ulëta (31) dhe Danimarka (32), regjistruan progresin më të madh sa i përket sigurisë rrugore.
Në krahun tjetër, numri më i madh i vdekjeve për vitin 2017 është regjistruar në Rumani dhe Bullgari: më shumë se 80 persona për një milion banorë.
Ndaje me miqte