Greqia ka hapur librin e ofertave për emetimin e një obligacioni 7 vjeçar.
Interesi paraprak i obligacionit vlerësohet në 2,1 për qind.
Synimi i qeverisë greke është që të inkasojë të ardhura me vlerë 2,5 miliardë euro.
Ndërkaq, ministria e financave konsideron si faktor më të rëndësishëm, jo aq shumën apo interesin, se sa kualitetin e investitorëve që do të përgjigjen.
Synimi kryesor është që t’u jepet tregjeve një sinjal i qartë për kredibilitetin e obligacioneve shtetërore greke, çka mund të ndikojë pozitivisht në interesat e kreditimit të biznesit vendas.
Enti për menaxhimin e borxhit publik ka konkluduar se momenti i tanishëm është më i përshtatshmi për një dalje të vendit në tregjet financiare.
Në këtë ndikojnë kushtet e favorshme ndërkombëtare për shkak të relaksimit të politikës monetare dhe situatës pas zgjedhjeve të 7 korrikut në Greqi.
Sipas analistëve, ka shumë gjasë që në muajin shtator të rikthehet një periudhë pasigurie për shkak të negociatave të Athinës me kreditorët.
Gazeta Financial Times i referohet një studimi të Bankës së Amerikës (BofA), që konstaton se preferenca e investitorëve për obligacione nga vende të Eurozonës, si Greqia, Italia dhe Spanja, ndodhet në nivelin më të lartë që prej shpërthimit të krizës, dhjetë vite më parë.