0030 210 33 18 483

Greqi, shpallet paketa e tretë e masave ekonomike për Koronavirusin

TV Tribuna 20 Mars 2020

Në vazhdën e komunikimit të djeshëm të kryeministrit Mitsotakis, qeveria greke shpalli të premten dorën e tretë të masave për bizneset dhe punonjësit që preken nga Koronavirusi.
Siç deklaroi ministri i financave, Hristos Staikouras, bankat dhe menaxherët e kredive kanë vendosur që të mbështesin edhe personat fizike, duke i lehtësuar për shlyerjen e kësteve të kredive.
Më tej, punonjësit, profesionistët e lirë dhe bizneset personale që përfitojnë mbështetjen monetare prej 800 eurosh, do të kenë mundësinë e pezullimit të shlyerjes së kësteve për tre muaj.
Gjithashtu, u ofrohet mbështetje 1,4 milionë punonjësve të sektorit privat, profesionistë të lirë, të vetëpunësuar, tregtarë, duke u ofruar edhe atyre ndihmën prej 800 euro.
Më konkretisht, punonjësit e bizneseve që preken nga situata dhe u është pezulluar kontrata e punës, do të përfitojnë gjithashtu ndihmën financiare.
Njëlloj edhe për gjithë profesionistët e lirë, të vetëpunësuarit dhe tregtarët.
Siç tha ministri, kostoja totale e kësaj ndërhyrjeje i kalon për muajin prill 2 miliardë eurot. Gjithashtu do të përfitojnë 800 euro gjithë ata që pushohen nga puna apo u detyruan të largohen vullnetarisht në periudhën nga 1 deri 17 mars.
Sa i përket dhuratës së Pashkës, ajo do t'u jepet gjithë punonjësve, nga të gjitha bizneset, tha ministri i financave, duke sqaruar se pagesa mund të bëhet edhe më pas.
 

Ndaje me miqte