Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Greqi, të akuzuar për falsifikim dokumentash.
Të dy ata, me moshë 41 dhe 38 vjeç, ishin drejtuesi dhe ndihmësi i një autobusi që po vinte nga Shqipëria.
Policia e ndaloi autobusin për kontroll në vendin e quajtur Komboti pranë Artës, në aksin rrugor janinë – Athinë.
Gjatë kontrollit, në një vend të fshehtë poshtë sediles së drejtuesit të mjetit u gjet një numër i madh dokumentesh të shteteve të huaja.
Konkretisht: 350 karta identiteti të paplotësuara, të autoriteteve gjermane dhe franceze, dhe 100 pulla bosh vizash gjermane.
Dokumentet e gjetura u sekuestruan, ashtu si dhe autobusi.
Dy të arrestuarit u dërguan në prokurorinë e Artës, ndërsa policia po vazhdon hetimet.
Dyshohet se dokumentet destinoheshin për një rrjet të trafikimit në BE të emigrantëve klandestinë.