0030 210 33 18 483

Grekë dhe shqiptarë, intrigë dhe dashuri

Robert Goro

07 Gusht 2018

Në gjithë veprimtaritë që organizojnë emigrantët shqiptarë në Greqi, flamujt kombëtarë të të dy vendeve janë pjesë e domosdoshme e dekorit. Ky mund të jetë një element i detyruar për shkak të rrethanave, apo shprehje e një vullneti të sinqertë: mall për vendlindjen nga njera anë, dhe respekt për vendin ku emigrantët jetojnë e punojnë që prej më shumë se dy dekadash.

Por kjo pak rëndësi ka. Qoftë dhe në mënyrë figurative, bashkëjetesa e dy flamujve simbolizon bashkëjetesën e dy popujve fqinj.

Një bashkëjetesë idilike dhe me marrëdhënie të shkëlqyera, po t’u referohemi deklaratave të gjithë qeveritarëve në të dy anët e kufirit.

Por kjo është vetëm njera anë e medaljes.

Sepse, po t’i referohemi perceptimit që vetë grekët dhe shqiptarët, njerëzit e thjeshtë, kanë për njeri tjetrin, bashkëjetesa rezulton sa problematike, aq edhe e vështirë. Por jo dhe e pamundur.

NIKOS MARANTZIDIS, politolog, ekspert i historisë së komunizmit, pegadog në Universitetin Makedonia, Selanik: Nëse pyet dikënd me cilin vend Greqia ka marrëdhëniet më të ngushta, do të të përgjigjen se, pas Qipros – gjë që ndodh për arsye specifike-, vendi që secili ka ndër mend, është Shqipëria. Marrëdhënie shumë aktive ekonomike, hyrje dalje intensive të njerëzve, distanca gjeografike të papërfillshme. Mirëpo, ndërsa marrëdhëniet janë kaq të ngushta, kemi një stepje reciproke, si dy komshinj që nuk kanë bërë kurrë sherr ndërmjet tyre, por ama ndruhen se ky sherr do të ndodhë. Për një sebep, një shkak që nuk e dimë me saktësi.

STAVROS TZIMAS, gazetar: Ekziston vërtet një mosbesim historik. Sepse është ende e freskët klima e marrëdhënieve të këqija të së kaluarës. Mos të harrojmë se gjatë diktaturës së Hoxhës në Shqipëri, kultivohej psikoza se vendi ndodhej i rrethuar prej armiqve. Pra, se nga veriu kërcënohej prej serbëve dhe nga jugu prej grekëve.

Nga ana tjetër, propaganda greke dhe ajo perëndimore, në atë kohë thoshte se në Shqipëri jetojnë skllevër, se që nga Shqipëria, komunizmi do të mësynte në Greqi. Këto gjëra kanë kaluar në ADN-në tonë, brez pas brezi. Është e vështirë të zhduken.

DIMITRIS CHRISTOPOULOS, pedagog i shkencave politike dhe historike, Universiteti Panteion, Athinë: Pesha historike, simbolikisht, ka më tepër rëndësi nga sa ka realisht, në marrëdhëniet midis shteteve dhe njerëzve. Dua të them që, nëse i shqyrtojmë marrëdhëniet ndërshtetërore vetem duke parë historinë, atëherë kemi shumë arsye për të qenë dyshues, për ta parë njeri tjetrin disi çuditshëm.

Mendoj se marrëdhëniet greko-shqiptare, natyrshëm karakterizohen nga një mungesë besimi reciprok. Gjë ndërkaq, që nuk ka të bëjë me të sotmen, por ka të bëjë me ato që ndodhën në Greqi e Shqipëri në vitet 30, 40, 44 etj.

 

Mungesa e besimit reciprok. A shpjegohet ky fakt real vetëm me peshën historike, apo në peshore janë shtuar edhe gurë më të rinj? Një pyetje që mëton përgjigje jo të shkurtra. Mirëpo, një gjë ndërkaq, është e qartë qysh në fillim: E shkuara vazhdon të rëndojë marrëdhëniet e grekëve e të shqiptarëve. Si një sëmundje kronike, simptomat e së cilës, herë pas here shfaqen shumë fuqishëm, duke krijuar komplikacione të reja.

Ndërkaq, si në një invers absurd, fillimisht kanë qenë problemet më të reja, ato që ringjallën e sollën në skenë çështje të vjetra të mbetura pezull midis të dy vendeve.

Për ironi të fatit, përplasja e parë midis Athinës dhe Tiranës në të shkuarën e afërt, ka ndodhur 23 vjet më parë, në ditët që Shqipëria sapo kishte nisur hapjen e saj pas izolimit gjysmëshekullor. (Video-Kakavija)

Valët e shqiptarëve që i drejtoheshin masivisht Greqisë, ditët e para të vitit 1991, e detyrojnë kryeministrin grek Konstandin Micotakis të shkojë urgjentisht në Tiranë

Përtej mbështetjes ndaj zhvillimeve demokratizuese të porsafilluara, Micotakis ka shkuar në Tiranë me një mision konkret: Të tentojë frenimin e largimeve masive të shqiptarëve, si dhe të shtrojë disa kërkesa që lidheshin me minoritetin gek në Shqipëri.

Por pala shqiptare nuk pranoi asnjë nga kërkesat, ndërkohë që presidenti Ramiz Alia hodhi në tryezën e bisedimeve çështjen e pasurive të popullsisë çame, q[ ishte detyruar të largohej nga Greqia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Që nga ai moment, aktualizimi i çështjes çame, më së shumti nga media shqiptare, është përdorur shpesh nga media greke për të spekuluar me të ashtuquajtura rivendikime territoriale të vendit fqinj. Por qeveritë greke përgjithësisht nuk janë pozicionuar. Dhe, edhe kur pozicionohen, artikulojnë deklaratën lakonike se problemi çam nuk ekziston.

Marantzidis: Duhet të them këtu, që në kujtesën historike greke, çështja tjetër, të cilën nuk e njeh askush, me përjashtim ndoshta të epirotëve, është çështja çame.

E megjithatë, çështja çame, që greku i zakonshëm nuk e ka idenë se çfarë është, thjesht ka një parandjenjë dhe një frikë, se promovimi i kësaj çështjeje do të mund të sjellë destabilizim.

 

Në luftën e dytë botërore, Greqia dhe Shqipëria u gjendën në mënyrë të tërthortë kundër njera tjetrës. Parlamenti kuisling i Shqipërisë së pushtuar nga Italia fashiste, në qershor 1940 do të miratonte një ligj, sipas të cilit, Mbretëria e Shqipërisë do të ndodhej në gjendje lufte me të gjithë shtetet që ishin në luftë me Italinë. Në fakt, tingëllon qesharak emërtimi “Mbretëria e Shqipërisë”, në kohën që elita politike e vendit i ishte nënshtruar pa kushte okupatorit, çizmja e të cilit e mbante të shtypur Shqipërinë që më 7 prill 1939.

“Një aspekt tjetër, jo më pak i rëndësishëm, i viteve të okupacionit të huaj është veprimtaria e klasës politike që u vu në shërbim të okupatorit. Duke u rreshtuar në anën e agresorit, ata e bënë Shqipërinë, nga një vend viktimë e agresionit në një palë ndërluftuese, pjesëmarrëse në sulmin kundër Greqisë në krah të Italisë. Ata e vunë vendin, me akte zyrtare, në gjendje lufte me Greqinë, akte që, veç firmës së mbretit Viktor Emanuel III, mbanin edhe firmën e kryeministrave kuislingë. Madje, jo vetëm kundër Greqisë, por edhe gjithë shteteve me të cilat Italia do të ishte në luftë. Paradoksalisht Shqipëria do të jetë në luftë edhe me Fuqitë e Mëdha të Koalicionit Antifashist: Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe BS-në”. Prof. Arben Puto, “Lufta Italo – Greke, diktatorë dhe kuislingë” (Toena, 2011)

Greqia do t’i përgjigjet Shqipërisë me të njëjtën monedhë, pak ditë pasi Italia e sulmon nga territori shqiptar i cili gjendej i pushtuar që prej 7 prillit 1939. Më 10 nëntor 1940, me një dekret mbretëror të titulluar “Mbi transaksionet e armiqve dhe sekuestrimin e pasurive armiqësore”, përcaktohen si shtete armike Italia bashkë me tokat e pushtuara, zotërimet perandorake, dhe kolonitë, si dhe Shqipëria”.

Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Greqia nënshkroi në vitin 1947, marrëveshjet e paqes me Italinë dhe Bullgarinë, dhe më 1951, me Gjermaninë.

Të tre këto vende e kishin pushtuar Greqinë dhe kishin shkaktuar mijëra të vrarë, mizori e shkatërrime. Ndonëse Greqia nuk ishte pushtuar kurrë nga Shqipëria, Athina nuk nënshkroi paqe me fqinjin verior.

Marantzidis: Ka dy faktorë që për mendimin tim shpjegojnë përse ndodhi kjo:

E para, padyshim, me karakter historik për atë periudhë, lidhet me pretendimet që gjithë qeveritë greke të kohës, kishin për atë zonë që në Greqi e quajnë Epiri i veriut dhe në Shqipëri, Shqipëria e Jugut. Është një zonë ku jeton një popullatë greke dhe që qeveritë e Athinës vazhdimisht aspironin aneksimin e kësaj zone në shtetin grek.

Faktori i dytë që ndikoi ishte Lufta Civile greke. Lufta Civile, në thelb, i ashpërsoi raportet negative midis Shqipërisë dhe Greqisë, për shkak të faktit se partizanët komunistë përdornin si bazë, jo vetëm për furnizime, territorin shqiptar.

Sot e dimë shumë mirë në portin e Durrësit mbërrinin anijet nga Gdansku i Polonisë, të ngarkuara me armatime, ushqime, veshmbathje dhe çdo gjë tjetër që i nevojitej ushtrisë komuniste.

Janë realizuar të paktën 13 dërgesa anijesh, që niseshin nga Gdansku, shkarkoheshin në Durrës, aty magazinoheshin dhe gradualisht materialet dërgoheshin në Greqi, te partizanët.

Gjithashtu u përdor edhe aeroporti i Tiranës për misione të ngjashme, kryesisht për furnizime me eksploziv apo materiale mjekësore farmaceutike, apo për transportimin e të plagosurve nga radhët e ushtrisë komuniste për në vende të tjera, në rastet që nuk mund të trajtoheshin në spitalet shqiptare.

Në Shqipëri kishte gjithashtu baza për stërvitjen e partizanëve grekë dhe gjatë gjithë periudhës nga 1946 deri më 1948, mund të thuhet se partizanët grekë e shfrytëzuan në maksimum Shqipërinë, me qëllim që të organizonin prej andej luftën, dhe u lejonte të kishin nga një terren ku, ose do të pushonin, ose do të stërviteshin apo do të organizonin transportin e materialeve.

 

PJESA E DYTË

Lufta civile greke, që zyrtarisht filloi në mars 1946 dhe përfundoi në vjeshtë të 1949-s, i kushtoi Greqisë më shumë se 180.000 jetë njerëzore, nga të dy kampet që morën pjesë në vëllavrasje: forcat qeveritare nga njera anë dhe ushtria komuniste nga ana tjetër. Por mbi të gjitha i kushtoi me një dasi të thellë kombëtare që vazhdoi për të paktën 40 vjet, dhe që nuk është shuajtur ende as në ditët tona.

Por edhe mëria midis grekëve e shqiptarëve vazhdon të mbetet e gjallë.

Gjetjet e fundit në një testim të opinionit në Shqipëri dhe në Greqi, përligjin definicionin se grekët dhe shqiptarët janë sa afër, aq edhe larg njeri tjetrit.

Në vitin 2013, ka një numër jo dhe kaq të madh, por jo dhe të parëndësishëm të shqiptarëve, që e konsiderojnë Greqinë si rrezikun kryesor për vendin e tyre. Këtë mendim e ka shprehur 18,5 për qind e qytetarëve shqiptarë të anketuar.

Në të kundërt, vetëm 1% e grekëve mendojnë se Shqipëria përbën rrezik për Greqinë.

1% është dhe numri i atyre grekëve që mendojnë se vendi rrezikohet me radhë nga FYROM, Bashkimi Europian dhe Izraeli. Përkundrazi, 23% e grekëve mendojnë se vendi aktualisht rrezikohet nga Gjermania, dhe kjo shpjegohet me rolin e Berlinit në imponimin e masave shtrënguese për shkak të krizës ekonomike.

Nëse shqiptarët mendojnë se Greqia përbën rrezikun kryesor për Shqipërinë, për grekët vendi që u kanoset më shumë është Turqia – këtë mendim e kanë 32% e qyteterëve.

Marantzidis: Do të thoja se shoqëria greke karakterizohet nga një fobi e çuditshme, sui genesis kundrejt Shqipërisë, për arsye që janë edhe psikologjike, edhe historike.

Mirëpo, me siguri, nuk janë arsye politike.

Po të marrim marrëdhëniet Greqi-Turqi, fobia buron edhe në shkaqe politike. Turqia është një fuqi e konsiderueshme, një vend i madh. Ka midis të dy vendeve çështje si ajo e detit Egje, që Turqia konsideron se nuk janë zgjidhur. Pra, e kupton se në këtë rast dikush mund të ndjejë një farë frike.

Sondazhi u krye në 2013, nga fondacioni grek i politikës së jashtme në Greqi, dhe në Shqipëri,  nga Instituti shqiptar i studimeve ndërkombëtare. Rezultatet u prezantuan në fund të vitit në Athinë, në një veprimtari që zgjati bukur gjatë, dhe ku komentet ishin të shumta dhe interesante.

Megjithë bashkëpunimin e ngushtë ekonomik midis të dy vendeve dhe kontakteve po aq të ngushta njerëzore, qëndrimet negative dhe stereotipat reciproke, janë veçanërisht të fuqishme, theksuan studiuesit.

Progresi i rëndësishëm më marrëdhëniet e të dy vendeve në nivel diplomatik dhe politik, nuk është konvertuar në një përmirësim të klimës në nivel të shoqërive.

Teksa njihesh me këtë konkluzion, nuk është çudi që kur u referohemi marrëdhënieve greko-shqiptare, të na vijë ndërmend titulli i një drame të Fridrih Shilerit, “Intrigë e dashuri.

 

Qytetarët shqiptarë konsiderojnë në masën 76% se marrëdhëniet me Greqinë janë të rëndësishme apo shumë të rëndësishme. Në të kundërt, qytetarët grekë konsiderojnë si prioritet thellimin e marrëdhënieve me Serbinë, Turqinë dhe Bullgarinë dhe më pak me Shqipërinë e FYROM.

Diametralisht të kundërta janë opinionet në të dy vendeve edhe sa u përket çështjeve që influencojnë marrëdhëniet. 41% e grekëve mendojnë se marrëdhëniet ndikohen nga emigracioni shqiptar në Greqi dhe gjithë derivatet e këtij fenomeni. Grekët duken më të distancuar ndaj çështjeve si nacionalizmi shqiptar apo çështja e pasurive të çamëve.

Përkundrazi, për shqiptarët, problemi madhor që përcakton marrëdhëniet, lidhet me marrëveshjen për kufirin detar. Sigurisht, jo aq me anullimin e marëveshjes, se sa me faktin që një pjesë e madhe e opinionit shqiptar beson që Greqisë iu falën mijëra kilometra katrorë det.

Për opinionin shqiptar, pas marrëveshjes së detit, çështja më e rëndësishme është ajo çame dhe pastaj trajtimi i emigrantëve në Greqi. Ndërkaq, në Greqi, vetëm gjysma e opinionit kanë dijeni për çështjen çame dhe shumica dërrmuese e tyre mendon se shtrimi i kësaj çështjeje nga ana e qeverisë shqiptare do të përbënte pengesë në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve.

Renditja e problemeve që opinioni shqiptar i konsideron si tejet të rëndësishme për ardhmërinë e marrdhënieve me Greqinë, i përgjigjet thuajse me përpikmëri, trajtimit dhe dimensioneve që u ka dhënë dhe u jep këtyre problemeve media shqiptare.

E njëjta gjë ndërkaq vlen edhe për median greke. Çka do të thotë se roli i medias mbetet përcaktues në krijimin e perceptimeve të opinionit.

 

Theodoros Kouloumbis, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, Universiteti i Athinës: Sa u përket marrëdhënieve greko-shqiptare, rezultatet e sondazhit më dhanë një mesazh: Se te të dy palët ekzistojnë pikëpamje të gabuara për njera tjetrën. Dhe, kjo rezulton ndërsa në këto momente jemi si vëllezërit siamezë me shqiptarët – ka 600 mijë shqiptarë në Greqi, një pjesë e tyre kanë marrë nënshtetësinë greke, fëmijtë e tyre shkojnë në shkolla greke, ndërvarja ekonomike që për momentin është më shumë në dobi të Shqipërisë- siç tregon sondazhi-, është e madhe.

Dhe në vend që të kemi përshtypje shumë më të mira për njeri tjetrin, shohim se nuk i kemi. Dhe këtu nevojitet shumë pune, edhe nga mediat.

 

PJESA E TRETË

Dinamika e marrëdhënieve greko-shqiptare në 23 vitet e fundit ka qenë e ngarkuar me tensione, që herë krijoheshin nga njera palë dhe herë nga tjetra. Tensione që në mënyrë të pashmangshme kanë ndikuar në perceptimet reciproke të grekëve dhe të shqiptarëve, me rrënjë edhe në prezantimin e parë të drejtëpërdrejtë, në fillim të viteve 1990-të.

Pas pritjes me krahët hapur, opinioni grek kishte nisur t’i shihte me dyshim e frikës emigrantët. Media greke i kishte demonizuar në atë shkallë, saqë për çdo krim që kryhej në Greqi, pa mëdyshje e emërtonin autorin si shqiptar.

Janis Plakopulos, pronar i kioskut ku shitet shtypi shqiptar në sheshin Omonia: Në fillim shoqëria greke i priti shqiptarët si njerëz hallexhinj, që kishin nevojë për ndihmë dhe mbështetje, dhe mbaj mend se si grekët vinin dhe sillnin pako me veshmbathje dhe ushqimne, sepse ata njerëz nuk kishin ku të fusnin kokën.

Më pas u krijua një klimë që u emërtua në atë kohë si “shqiptarofobi”. Shkruhej në shtyp, thuhej në televizion se “shqiptarët vjedhin, përdhunojnë”, se “dolën kriminelët nga burgjet e Shqipërisë dhe po livadhisin në Greqi”. Këto më shumë ishin për të fituar audiencë, se sa kishin lidhje me realitetin.

Sepse, në realitet, çdo familje greke kishte një njeri nga Shqipëria, të cilin e përkrahte, e mbështeste dhe i ofronte punë.

 

Më 25 qershor 1993 u dëbua një prift grek që shërbente në Gjirokastër, i akuzuar për veprimtari antishqiptare. Athina reagoi në mënyrë shumë të ashpër dhe bashkë me Tiranën  filloi një ping pong deklaratash, ku secila nga palët rrekej t’i hidhte sa më shumë benzinë zjarrit.

Brenda rreth një muaji nga Greqia u dëbuan pothuaj 70.000 emigrantë shqiptarë, shumica e të cilëve pa dokumenta, por që deri atëherë nuk ishin trazuar nga autoritetet greke.

Pas kësaj, me ndryshimin e pushtetit në Greqi, ardhjen e socialistëve të PASOK-ut në qeverisje, marrëdhëniet e futën në rrugën e normalizimit.

Por ky normalizim do të ishte i përkohshëm.

Në 10 prill 1994, terrorisë grekë sulmuan një repart ushtarak në Peshkëpi të Gjiorokastrës, duke vrarë një oficer e një ushtar, e plagosur disa të tjerë.

Me një komunikatë të publikuar në shtypin grek, përgjegjësinë për sulmin vrastar e mori organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut)

Tirana akuzoi menjëherë Athinën zyrtare si përgjegjëse për incidentin. Por qeveria greke i hodhi poshtë akuzat dhe kaloi në “kundërsulm”, duke shfrytëzuar edhe arrestimin e disa minoritarëve grekë, që u akuzuan nga autoritetet shqiptare për spiunazh në favor të Greqisë.

Fillon kështu kriza më e madhe në historinë e re të marrëdhënieve midis Greqisë e Shqipërisë.

Krahas krizës vazhdon dëbimi i emigrantëve shqiptarë, që nuk ka ritmet e një viti më parë, por as ato të zakonshmet.

Në mars 1995, marrëdhëniet normalizohen sërish. “Pas një dimri të zgjatur, kalojmë me shpresë në pranverën e marrëdhënieve greko-shqiptare”, deklaron ministri i jashtëm Karolos Papulias, nga Tirana, ku ka shkuar për të shkëmbyer kredencialet e pajtimit.

Pranvera vjen një vit më vonë, kur presidenti grek, Kostis Stefanopulos viziton Tiranën, ku më 21 mars 1996 nënshkruhet Traktati i Miqësisë, fqinjësisë dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve

Pason një periudhë relativisht e gjatë marrëdhëniesh të ngushta, dhe reagimet negative ndaj Shqipërisë kufizohen vetëm në disa qarqe të cilat përherë e më tepër shtyhen në marxhinat politike dhe shoqërore.

Shkëmbimet e ndërsjellta të delegacioneve të nivelit të lartë, Athinë-Tiranë, vazhdojnë me ritme të larta deri në mesin e viteve 2000. Por krahas intensifikimit të shkëmbimeve, vërehet edhe një rigjallërim i pasioneve nacionaliste, në të dy vendet.

 

Perfeksionimi i vazhdueshëm i teknologjisë ofron mundësinë që lexuesit të komentojnë on line shkrimet e publikuara në mediat shqiptare. Temat që lidhen me Greqinë janë padiskutim, më të lexuarat e më të komentuarat. Shumica e komenteve janë një garë shfrimesh nacionalizmi provincial, dhe leximi i tyre të jep përshtypjen se të dy popujt janë duke zhvilluar beteja të përgjakshme në një luftë që nuk dihet kur ka filluar dhe që fundi i së cilës largohet vazhdimisht në horizont. Komentet on line janë thuajse të njëta edhe në faqet elektronike greke, gjë që të kthen sërish tek perceptimet që të dy popujt kanë për njeri tjetrin.

Argumenti më i përdorur në Shqipëri, për shpjegimin e komenteve negative ndaj Greqisë, është mbajtja ende në fuqi nga vendi fqinj, i ligjit të luftës të vendosur në 1940.

Qeveria greke e Andreas Papandreut e abrogoi në gusht 1987 gjendjen e luftës me Shqipërinë, por jo edhe ligjin përkatës. Por kjo inkoherencë besohej se u kapërcye me nënshkrimin e traktatit të miqësisë, më 1996, për shkak të nenit 15 të atij traktati.

Neni 15

Secila nga palët kontraktuese do të trajtojë, brenda kuadrit të vet ligjor, mundësinë për heqjen e pengesave që vështirësojnë shfrytëzimin e pasurisë që kanë nënshtetasit e njerës palë në territorin e tjetrës.

Por pala shqiptare do të informohej e befasuar tre vjet më vonë, se ligji i luftës mbetej në fuqi. Në qershor 1999, një vit e gjysmë pasi traktati i miqësisë ishte ratifikuar nga parlamenti grek, ministria e jashtme vendase do të informonte ambasadën shqiptare në Athinë, se ligji 2636 i vitit 1940, mbetej në fuqi.

Tzimas: Unë besoj se ekzistojnë fobira. Ka fobi të ekzagjeruara në sistemin politik grek. Sepse akoma ekzistojnë segmente në jetën politike dhe shoqërore të vendit, që vazhdojnë të investojnë në çështje si ajo e ligjit të luftës, për të përfituar politikisht. Kjo është çështja!

Përndryshe, nuk besoj në asnjë rast se Greqia ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo se Shqipëria ka pretendime territoriale, për shkak të Çamërisë.

Mirëpo unë nuk besoj se një shqiptar në Kukës apo në Bajram Curri, mendon se dikur Greqia do të sulmojë Shqipërinë, për të copëtuar vendin, apo që të cysë grekët e Shqipërisë që të ngrenë krye. Këto janë qesharake.

Mirëpo, për mendimin tim, kjo çështje, - ligji i luftës-, duhet të mbyllet përfundimisht. Të përfundojë me çdo mënyrë.

Për mendimin tim, duhet të mbyllet edhe kjo çështje. Që ta them shumë thjesht, de facto është mbyllur, mirëpo duhet – dhe besoj se në një moment do të piqen kushtet -, të mbyllet edhe de jure.

Mirëpo, për zotin, mos ta lancojmë këtë si problem dominues, kur kemi çështje të tjera, shumë më të rëndësishme, që mund t’i bëjnë të dy vendet të shkojnë përpara!

Marantzidis: Nuk jam ekspert për marrëdhëniet greko-shqiptare, por duhet të them që kur studioja-dhe po vazhdoj të studioj-, periudhën e luftës civile greke, isha impresionuar edhe unë nga fakti se sa shumë çështje e Epirit të veriut, ndodhej në mendjet e zyrtarëve grekë, të elitës politike dhe ushtarake të Greqisë.

Nuk e kisha imagjinuar kurrë. Sepse u linda në vitet 1960, u rrita në vitet 1970-1980; miqtë e mi dhe unë nuk bisedonim kurrë për këtë çështje. As pro, as kundër, për ne ishte një jo-çështje, nuk ekzistonte.

Mirëpo, duke studiuar arkivat, konstatova se për disa breza, deri në një periudhë të caktuar kohore, ishte një çështje shumë e rëndësishme. Besoj se kjo është një nga shkaqet e kësaj situate (mbajtjes së ligjit të luftës), që ngjan qesharake.

Do të thoja se shoqëria greke karakterizohet nga një fobi e çuditshme, sui genesis kundrejt Shqipërisë, për arsye që janë edhe psikologjike, edhe historike.

Mirëpo, me siguri, nuk janë arsye politike.

Me Shqipërinë do të thoja se vetëm te sfera e psikologjisë dhe e historisë do të mund t’i atribuojmë gjërat. Dhe sigurisht, diçka që e besoj thellësisht dhe që e kam kuptuar mjaft vonë, është se sa çështja e Epirit të Veriut ka influencuar breza të tërë këtu në Greqi.

 

Nikos Marantzidis është një nga ekspertët më të njohur për temën e luftës civile greke dhe prej vitesh po studion thellësisht arkivat greke dhe ato të vendeve ish komuniste që u përfshinë me njerën apo tjetrën mënyrë në atë luftë. Duke iu referuar ekzistencës së dokumenteve, Matantzidis thotë se qeveria greke synonte të sulmonte Shqipërinë dhe se kjo u tentua me ngjarjet që në historigrafinë shqiptare kanë mbetur si “Provokacionet e 2 gushtit 1949”.

Marantzidis: Të marrë Greqia lejen, miratimin nga OKB, që të sulmojë Shqipërinë. Cili do të ishte preteskti i sulmit? Preteskti do të ishte se në Shqipëri stërviten dhe furnizohen partizanët komunistë. Kjo ishte e vërtetë. Mirëpo në atë fazë ngjante më shumë si një pretekst, se sa si një arsye e vërtetë.

Nuk e dha këtë leje OKB. Sot e dimë se amerikanët i thanë qeverisë greke “mos u përzieni, do ta rrëzojmë ne Enver Hoxhën, nga brenda”.

Dhe vërtet, janë të njohura ngjarjet, tentativat pak kohë më vonë, për të përmbysur Enver Hoxhën, që ishte një dështim i plotë.

Mirëpo është e qartë se në atë moment edhe amerikanët kishin frikë se një hyrje e ushtrisë greke në Shqipëri do të mund të shkaktonte një konfrontim më të gjerë, me implikimin e BS dhe fuqive të tjera, të Jugosllavisë në fazë të parë, dhe të Bullgarisë, me rezultate jashtëzakonisht të pasigurta për rajonin, me një rrezik për luftë të tretë botërore.

Prandaj amerikanët kërkuan nga qeveria greke që mos ta bëjë, qeveria greke nuk e bëri dhe megjithë faktin se vërtet ushtria greke duket se sulmon dhe hyn brenda territorit të Shqipërisë, kjo nuk shkon përtej një caku dhe shumë shpejt ushtria rikthehet mbrapa kufijve të definuar zyrtarisht.

Për ta përmbledhur: Pavarësisht nga ngjarjet e 2 gushtit 1949, në realitet, lufta civile, të paktën në fazën e vet të fundit, u konsiderua nga qeveria greke si një shans i mirë për të patur një aneksim de facto të Epirit të Veriut.

 

DIMITRIS CHRISTOPOULOS, pedagog i shkencave politike dhe historike, Universiteti Panteion, Athinë: Vlerësimi im është se diskutimi për ligjin e luftës në Shqipëri është fryrë më shumë nga ç’duhet, për arsyet që thashë më përpara. Dhe u ndihmon shumë folkloristëve të ndryshëm të nacionalizmit.

Nga ana tjetër, konsideroj se për çdo njeri me dy pare mend, nuk shtrohet aspak çlshtja e gjendjes së luftës.

Sa i përket ruajtjes së ligjit, besoj se kjo u përket rregullimeve serioze që duhen bërë, me qëllim që t’i heqim ciflat që na shkaktojnë dhimbje, për t’u shprehur në mënyrë figurative.

Mirëpo nuk mundet, dhe këtë e them duke parë në drejtim të Shqipërisë-, nuk mundet pra, që të jemi në 2013-n dhe të diskutojmë për ligjin e luftës, a thua se ndodhemi 60 e ca vjet më parë.

Ka grupe të caktuara që jetojnë vetëm në sajë të çështjeve të tilla. Dhe kur them jetojnë kam parasysh edhe jetesën e xhepave të tyre.

E pra, të mbarojmë me këtë mesele! Mjaft më, me sipërmarrjen e nacionalizmit shqiptar, me pretekst pasuritë e çamëve, dhe sipërmarrjen e nacionalizmit grek, me pretekst minoritetin në Shqipëri!

Theodoros Dritsas, deputet, Koalicioni i të majtës radikale (SYRIZA): Në realitet, ligji i luftës nuk i influencon marrëdhëniet. Nuk është një gjemb i fuqishëm kjo çështje. Mirëpo, ne gjithmonë kemi thënë se ruajtja e këtij ligji është një anakronizëm. Nuk justifikohet.

Përndryshe, kur u vendos gjendja e luftës rrethanat ishin krejt të ndryshme. Kishte të tjera raporte, ishin ngjarje të tjera dhe të tjera situata, që sot nuk ekzistojnë. Është një anakronizëm.

Duhet të bëhen lëvizjet e nevojshme, edhe nga pala greke, edhe nga pala shqiptare, kështu që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe në mënyrën më të mirë.

Për të përfunduar, ruajtja e ligjit të luftës me Shqipërinë, është një përzgjedhje anakronike, që nuk ka asnjë kuptim të vazhdojë.

 

Sigurisht, anakronizëm nuk është vetëm mbajtja e ligjit të luftës, por edhe mbërthimi me thonj e me dhëmbë pas të kaluarës, dhe kushtëzimi i të tashmes e të ardhmes me këtë të kaluar. Kjo duket se përcakton në masë të madhe marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, apo më saktë perceptimet dhe paragjykimet që të dy palët kanë për njera tjetrën.

A duhet vazhduar kështu?

Dimitris Cristopoulos: Njerëzit e vërtetë dhe shtetet e vërtetë, nuk mund t’i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre vetëm duke parë mbrapa. E kaluara, siç u them edhe studentëve të mi, nuk mund të jetë një spirancë që mund të të fundosë, e kaluara mund të jetë një busull që të të tregojë se si mund të shkosh përpara.

Greqia dhe Shqipëria nuk kanë sot asnjë arsye që të hahen. Probleme që duhet të zgjidhen, po, kanë. Mirëpo këto probleme duhet të inkuardohen në një strategji kombëtare menaxhimi problemesh ndërshtetërore, dhe jo një politikë e menaxhimit për spektakle nacionaliste, këndej dhe andej kufirit.

Kështu besoj se është e lehtë të zgjidhen problemet. Dhe sigurisht, mund të zgjidhen shumë më lehtësisht se sa problemet që ka Shqipëria sot si shtet më vete, apo Greqia sot si shtet më vete.

 

Theodoros Kouloumbis, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, Universiteti i Athinës:  Unë i ndaj vendet ndërmjet atyre që kanë politikanë të cilët mendojnë vetëm se si do të rizgjidhen, dhe vendet që kanë politikanë të cilët mendojnë me një kuadër 4-5 vjeçar.

Për fat të keq, edhe në Greqi, edhe në Shqipëri, kemi politikanë të cilët i perceptojnë reagimet e tyre kryesisht tek ajo çka don të dëgjojë votuesi i thjeshtë, dhe duke konsideruara që bie fjala, po të zbatojnë një politikë të ashpër ndaj emigrantëve, do të marrin më shumë vota.

Këtë duhet ta ndryshojmë dhe këtu nevojitet ajo që e quajmë shoqëri civile, komuniteti universitar, ai i biznesit dhe ta transformojmë marrëdhënien tonë shumë më tepër nga mentalitetet e vjetra që flisnin për kufij, mbyllje kufijsh apo ndryshim kufijsh, në kohën që të gjithë ne do të jemi pjesë e Europës së bashkuar, do të kemi lirinë e lëvizjes nga vendi në vend dhe në thelb do të jemi qytetarë të Europës. Dhe kjo duhet të jetë e ardhmja jonë dhe me këtë të ardhme duhet të mendojnë politikanët tanë, edhe te ne, në Greqi, edhe te ju, në Shqipëri.

 

Stavros Tzimas, gazetar: Do të duhet në një moment të mënjanohen nga axhenda çështje të ndryshme që edhe unë them se po, janë probleme, mirëpo nuk janë prioritare.

Sot kemi 650-700 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi. Kam shumë miq prej tyre, jemi komshinj, kalojmë bashkë festat.

Emigrantët i japin jetë ekonomisë së Shqipërisë. Ja pra, një interes në shumë që ka Shqipëria, për të patur marrëdhënie të mira me Greqinë.

Ashtu sikurse edhe ne kemi interes për të patur marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Është një treg i dobishëm për biznesin grek, kemi emigrantët që kontribuojnë këtu në Greqi.

Dua të them se janë shumë gjërat që na lidhin. Dhe këto duhet të vendosen në prioritetet e larta të axhendës.

Dhe t’i lemë të tjerat, që edhe ato në një moment do të gjejnë rrugën e zgjidhjes.

 

(Shënim: Dokumentari është realizuar në janar 2014)

Ndaje me miqte