Gjiknuri: Propozime për votën e diasporës, gati për konsensus për formulën e shpërndarjes së mandateve
TV Tribuna
28 Qershor 2024
TIRANË, 28 qershor/ATSH-Maela Marini/ Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, Damian Gjiknuri deklaroi sot se mazhoranca është e gatshme të financojë votimin dhe numërimin elektronik në 5 qarqe kryesore, ndërkohë që opozita duket se është tërhequr nga një kërkesë e tillë.
Në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së grupit të Dialogut për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri u shpreh se mbeten për t’u adresuar dy çështje të rëndësishme, vota e emigrantëve dhe llogaritja e herësit.
“Dy çështje themelore që mbeten për t’u adresuar dhe që ne si mazhorancë, nëse nuk do të ketë dakordësi natyrshëm do t’i iniciojnë propozimet tona. E para ka të bëjë me votën e diasporës për të cilën kemi marrë propozimin që kanë bërë kolegë të opozitës para 1 viti, përfshirë edhe shoqatat e diasporës, duke siguruar që vota të llogaritet në qarqet respektive ku kanë pasur vendbanimin e fundit votuesit. E dyta, lehtësia e procedurës së regjistrimit përmes KQZ-së dhe më pas në gjendjen civile përmes deklarimit të adresës dhe standardeve të thjeshtuara”, u shpreh ai.
Kjo, sipas tij, do të jetë baza e projektligjit që ka të bëjë me votën e diasporës, ndërkohë që detajet teknike do t’i lihen KQZ-së.
Gjiknuri theksoi se ka dhënë garanci nga ana e mazhorancës që “ne jemi të gatshëm të financojmë votimin dhe numërimin elektronik në 4 apo 5 qarqe të mëdha, në qarqet kryesore të vendit që kanë edhe më shumë mandate”.
“PD ka dy mendje, tashmë ka filluar të heqë dorë edhe nga votimi dhe numërimi elektronik. Nuk ka më besim mesa duket edhe pse ka qenë ndër kërkesat e tyre në të kaluarën. Unë si përfaqësues i mazhorancës iu ofrova të kishim një marrëveshje. Pjesën tjetër ata gjithçka e kanë të kushtëzuar me 5 qershorin, por me këtë pikë unë nuk i ndihmoj dot. Nuk mund të rrijë vendi peng i një date që i përket 4 viteve më parë, një datë që thjesht ka vlerë kalendarike”, tha ai.
Gjiknuri theksoi se nëse opozita nuk është dakord nuk do të miratohet vota e diasporës.
“Ne do të bëjmë një propozim siç e kanë sjellë deputetët e opozitës dhe shoqatat e diasporës, nëse nuk duan do t’i themi publikut shqiptar opozita nuk do”, tha ai.
Gjiknuri shprehu bindjen qe nëse miratohet brenda korrikut, vota e diasporës është e realizueshme.
Ndaje me miqte