Futbollistët më të paguar në vitin 2022
ATSH
06 Janar 2023
Në vitin 2022 pati shumë ngjarje të mëdha sportive që tërhoqën vëmendjen e tifozëve, ku Kupa e Botës FIFA ishte atraksioni kryesor që u mbajt në fund të vitit në Katar.
Gjatë Kupës së Botës, shumë yje ndërkombëtarë ishin në qendër të vëmendjes, ndërsa përballja finale Mbappe-Messit entuziazmoi tifozët.
Pavarësisht se humbi finalen e Kupës së Botës nga Argjentina e udhëhequr nga Messi, ylli francez Kylian Mbappe pati një titull ngushëllues, duke qenë futbollisti më i paguar i vitit 2022, sipas Forbes.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e pasuan yllin francez në listën e futbollistëve më të paguar.
Lista përfshin gjithashtu emra të papritur si mesfushori veteran spanjoll 38-vjeçar Andres Iniesta dhe ylli belg i Real Madridit, Eden Hazard.
– Kylian Mbappe
Kylian Mbappe u bë futbollisti më i paguar i vitit 2022 me fitime totale prej 128 milionë dollarësh, 110 milionë prej të cilave u fituan nga aktiviteti në fushë.
Ylli i Paris-Saint Germain (PSG) u ngrit për tre vende në listë pasi u rendit i katërti në vitin 2021 me rreth 43 milionë dollarë.
24-vjeçari finalist i Kupës së Botës kryesoi listën përballë bashkëlojtarit të tij Lionel Messi.
Mbappe iu bashkua parisienëve në korrik 2018 nga AS Monaco me një tarifë transferimi prej rreth 180 milionë euro.
– Lionel Messi
Lionel Messi, i cili u bë lojtari i dytë më i paguar i vitit 2022, padyshim la gjurmë në vitin e kaluar.
Ai fitoi për herë të parë Kupën e Botës me Argjentinën në Katar për të garantuar “shpërblimin” e vetëm që mungonte në sirtarin e tij të trofeve.
Me fitoren historike në finale kundër Francës, ai tani zotëron çdo titull të nivelit të lartë, duke përfshirë Copa America, Ligën e Kampionëve të UEFA-s, Super Kupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës së FIFA-s.
Messi fitoi 120 milionë dollarë, duke e mbajtur vendin e dytë në listë për vitin 2022, pasi ai gjithashtu u rendit i dyti me 110 milionë dollarë vitin e kaluar.
35-vjeçari iu bashkua PSG-së nga Barcelona në vitin 2021 si një transferim i lirë.
– Cristiano Ronaldo
Cristiano Ronaldo së fundmi nënshkroi një marrëveshje masive me klubin saudit Al-Nassr pasi u largua nga Manchester United. Megjithatë, për vitin 2022, ai u rendit i treti në listën e lojtarëve më të paguar me 100 milionë dollarë.
37-vjeçari fitoi 60 milionë dollarë të shumës jashtë fushës dhe u bë rekordmeni i vitit 2022 në këtë fushë.
Ai zbriti për dy vende në listën e më të paguarve në vitin 2022, pasi kryesoi listën e vitit 2021 me 125 milionë dollarë.
– Neymar Jr.
Neymar Jr. është lojtari i tretë i PSG-së në listën e lojtarëve me fitimet më të mëdha të vitit 2022.
Braziliani 30-vjeçar, i cili iu bashkua parisienëve me një tarifë rekord të të gjitha kohërave prej 222 milionë euro nga Barcelona në vitin 2017, u bë lojtari i katërt më i paguar i vitit 2022.
Neymar fitoi 87 milionë dollarë dhe zbriti një shkallë më poshtë nga lista e vitit të kaluar, në të cilën ishte i treti me 95 milionë dollarë.
– Mohamed Salah
Ylli egjiptian i Liverpool-it, Mohamed Salah, fitoi 53 milionë dollarë në vitin 2022 për t’u renditur i pesti në listë.
30-vjeçari, i cili iu bashkua Liverpool-it nga skuadra italiane Roma në vitin 2017, shënoi 16 gola dhe bëri gjashtë asistime në 25 ndeshje, pavarësisht paraqitjes jo aq të mirë të Liverpool-it këtë sezon.
Salah mbeti në vendin e pestë në listë, vend të cilin e kishte edhe vitin e kaluar.
– Erling Haaland
Ylli norvegjez Erling Haaland bëri një nga lëvizjet më të mëdha të transferimeve të vitit të kaluar me kalimin e tij në korrik 2022 te Manchester City nga Borussia Dortmund.
Haaland u rendit i gjashti në listën e lojtarëve më të paguar të 2022 me 39 milionë dollarë.
Haaland mungonte në listën e futbollistëve më të paguar të vitit 2021.
– Robert Lewandowski
Nënshkrimi më i popullarizuar i Barcelonës për vitin 2022 ishte ndoshta kalimi i Robert Lewandowski nga Bayern Munich në korrik.
Ylli polak shënoi 18 gola në 20 ndeshje për Barçën këtë sezon.
34-vjeçari arkëtoi 35 milionë dollarë dhe u bë futbollisti i shtatë më i paguar i vitit.
Ai shënoi rënie për një vend nga lista e 2021-shit, pasi një vit më parë, ai fitoi afërsisht të njëjtën shumë si në vitin 2022, por u rendit i gjashti.
– Eden Hazard
Futbollisti Real Madridit, Eden Hazard, iu bashkua madrilenëve nga Chelsea pas largimit të Cristiano Ronaldos me një tarifë transferimi prej rreth 115 milionë euro në vitin 2019.
Performanca e tij në Real Madrid ishte shumë larg pritshmërisë dhe ai arriti të shënojnë vetëm gjashtë gola në gjithsej 72 ndeshje të La Ligës dhe Ligës së Kampionëve në katër sezonet e fundit.
Por pavarësisht paraqitjes së tij zhgënjyese, ai u rendit në Top 10-shin e lojtarëve me fitime më të larta në dy vitet e fundit.
Ai fitoi 31 milionë dollarë dhe u rendit i teti në vitin 2022, ndërsa ishte i 10-ti në listën e vitit 2021 me 29 milionë dollarë.
– Andres Iniesta
Legjenda e Barcelonës, Andres Iniesta, është ende aktiv në lojë edhe pse është 38 vjeç.
Ai luan për klubin japonez Vissel Kobe që nga viti 2018 dhe nuk ka treguar asnjë shenjë të pensionimit.
Iniesta fitoi 30 milionë dollarë në vitin 2022 për t’u bërë lojtari i nëntë me të ardhurat më të larta të vitit.
Iniesta u rendit i shtati në listën e vitit 2021 me 35 milionë dollarë.
– Kevin De Bruyne
Mesfushori belg i Manchester City-t, Kevin De Bruyne, fitoi 29 milionë dollarë në vitin 2022.
31-vjeçari, i cili ka më shumë se 10 marrëveshje me marka të ndryshme për të ndihmuar financat e tij, zuri vendin e 10-të në debutimin e tij me fituesit më të mirë këtë vit.
Ai iu bashkua klubit të tij në vitin 2015 nga skuadra gjermane Wolfsburg dhe që atëherë është bërë pjesë integrale e skuadrës, e cila me ndihmën e tij fitoi katër tituj të Premierligës angleze.
Ndaje me miqte