Fatos Malaj, takim i madh elektoral në Athinë
TV TRIBUNA
27 Qershor 2019
Kandidati shqiptar për deputet në parlamentin grek, Fatos Malaj, ka zhvilluar një takim të madh elektoral në Athinë.
Merrnin pjesë bashkatdhetarë me të drejtë vote, emigrantë të thjeshtë, qytetarë grekë.
Ndodheshin edhe disa prej kandidatëve të tjerë për deputetë që kandidojnë me listën e KINAL.
Fjalën e hapjes e mbajti ish nënkryetari i parlamentit grek, Grigoris Niotis. Në fjalën e tij zoti Niotis iu referua njohjes me kandidatin që në vitet e para të ardhjes së Fatos Malajt në Greqi, kontributit të tij nga poste të ndryshme për integrimin e emigrantëve dhe evidentimin e zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në vijim, e mori fjalën Fatos Malaj, që kandidon me Lëvizjen për Ndryshim (KINAL) në A Athinë.
Fillimisht ai falënderoi të pranishmit, duke theksuar se prezenca e tyre në sallë, “jo vetëm më nderon, por më jep dhe forcën e domosdoshme që të vazhdoj betejën e vështirë që filluam bashkë”.
“E di se sfida është e madhe. Por po të besoja që nuk mund t’i përgjigjesha, nuk do të gjendesha sot para jush”, nënvizoi zoti Malaj.
“Prania e emigrantëve në strukturat e partive politike, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje dhe hyrja në parlament, është e dobishme për të gjithë”, vuri në dukje Fatos Malaj.
Emigrantët do të mund të thonë si qytetarë aktivë fjalën e tyre në politikat që influencojnë jetën e tyre të përditshme. Do të ndihmojë në integrimin e tyre, pasi nuk do të konsiderohen më të parëndësishëm, por mendimi i tyre do të dëgjohet, do të respektohet dhe do të merret seriozisht parasysh”, theksoi kandidati për deputet.
Problemet e integrimit dhe të emigracionit mbeten të hapura në Greqi dhe duhet të trajtohen urgjentisht, tha më tej në fjalën e tij Fatos Malaj.
Ai shtoi se politika e emigracionit ka nevojë për një dialog të hapur me përfaqësuesit e emigrantëve që i njohin në thellësi problemet e integrimit. Njerëz që kanë plan konkret për integrimin në shoqërinë greke.
Më tej, Fatos Malaj prezantoi programin e tij.
Me një zgjidhje interesante, ai ftoi në skenë një nga një pjesëtarët e stafit, që evidentuan problemet kryesore me të cilat ndeshen emigrantët, si të brezit të parë, edhe ata të brezit të dytë, duke shpalosur edhe zgjidhjet që do të promovohen në rast se fatos Malaj zgjidhet deputet.
Në takim përshëndetën edhe aktori i njohur Viktor Zhusti dhe disa herë kampioni i botës në peshëngritje, Leonidha Shabani.
Fatos Malaj e mbylli takimin me sloganin tashmë të njohur “Bashkë jetojmë. Bashkë ndryshojmë”.
Ai u bëri thirrje të pranishmëve që t’i besojnë një zëri ndryshe në parlamentin grek.
Ndaje me miqte