Fatos Malaj: Ku çalojnë dispozitat për nënshtetësinë
Fatos MALAJ
27 Mars 2019
Ndërmjetësi ndërkulturor në drejtorinë e emigracionit Athinë dhe njëherazi kandidat për deputet në parlamentin grek, Fatos Malaj, ka ndjekur nga afër procesin e diskutimit dhe miratimit nga ligjvënësit, të dispozitave të reja për nënshtetësinë. Me këtë rast, Malaj ka postuar një koment në profilin e vet në facebook.
Ligji i nënshtetësisë greke me procedurën e natyralizimit përmban disa reforma pozitive, si për shembull dispozitat e posaçme për grupimet më delikate të popullsisë (qytetarë mbi 65 vjeç dhe invalidë). Njëkohësisht, parashikohet dhe një ulje e tarifës nga 700 euro në 550 euro, çfarë vërtet lejon kategoritë përkatëse të aplikojnë me kushte lehtësuese.
Ndërkohë që nuk zgjidhet në thelb asnjë nga problemet reale të të gjithë procedurës. Përkundrazi, zëvendësimi i intervistës para komisionit me një test të bazuar në pyetje të paracaktuara; ndërprerja e procedurës së regjistrimit të aplikantëve, të cilët ndërkohë janë transferuar jashtë shtetit si dhe testet e certifikimit të gjuhës greke, jo vetëm që përjashtojnë një numër të madh të huajsh- pasi parashikohen aftësi që nuk disponon as një numër i madh i shtetasve grekë- por paralelisht krijojnë një peshë administrative të jashtëzakonshme, e cila pa përforcimin e shërbimeve përkatëse për të huajt, ngadalëson akoma më tepër procesin e miratimit të nënshtetësisë.
Me të dhënat e reja intervista para komisionit për natyralizimin zëvendësohet nga një test standard, bazuar në pyetje të parapërgatitura dhe të publikuara. Në këtë kuadër, për konstatimin e njohurive të kërkuara të gjuhës greke- me shkrim dhe gojë, parashikohet testim i gjuhës greke paralel me nivelin B1.
Besoj se kjo procedurë rreptësisht e standardizuar mbart rrezikshmërinë të përjashtojë shumë shtetas të huaj, të cilët edhe pse kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës së folur, u mungojnë njohuritë gramatikore për të kaluar me sukses testin me shkrim.
Gjithashtu, është fakt i pamohueshëm mungesa e inisiativave të qeverisë për të organizuar mësime të gjuhës greke për të rriturit, me rezultat një numër i konsiderueshëm i kandidatëve të drejtohen në kurse private me kosto të lartë, çfarë e bën procedurën të papërballueshme.
Vonesat në procedurën e nënshtetësisë greke përbëjnë kulmin e politikës tepër problematike për emigracionin. Plani ynë, përmirësimi i procesit ligjor për nënshtetësinë greke, me përshpejtimin e miratimit të kërkesave, përmes procedurave sa më objektive dhe larg çdo kontrolli apo ndërhyrjeje politike.
Ndaje me miqte