Erdhën nga Shqipëria, kandidojnë për deputetë në parlamentin grek
TV TRIBUNA
06 Korrik 2019
Në zgjedhjet e 7 korrikut kandidojnë edhe qytetarë të ardhur nga Shqipëria, emigrantë apo homogjenë.
Renditja bëhet sipas partive me të cilat ata kandidojnë.
JORGOS TRIHAS
kandidon me partinë SYRIZA në zonën e dytë të Athinës (B 3 Notiu Tomea Athinon)
Me origjinë nga Saranda, Jorgos Trihas ka kryer fakultetin e infermierisë dhe më pas studimet e larta për menaxhim biznesi.
Ka një veprimtari energjike për integrimin e homogjenëve dhe të riatdhesuarve.
Ka shërbyer si këshilltar i posaçëm në Ministrinë e Jashtme.
Është anëtar i sekretariatit të SYRIZA-s për homogjenët.
ANXHELA FILO
kandidon me partinë Nea Dimokratia në zonën e partë të Selanikut (A Thessalonikis)
U lind e u rrit në qytetin e Korçës. Në vitin 1991 prindërit e saj emigruan në Greqi dhe u vendosën në qytetin e Selanikut.
E diplomuar si Inxhiniere Topografe (1998-2003) ka punuar në sektorin privat dhe sot ka zyrën e saj private si sipërmarrëse.
Prej viti 2011 është kryetare e organizatës Omonoia në Degën e Selanikut dhe anëtare aktive e partisë Nea Dimokratia, në degën e Maqedonia-Thrakës, në sektorin për çështje të Ballkanit dhe në atë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
FATOS MALAJ
kandidon me partinë KINAL në zonën e parë të Athinës (A Athinon)
U lind në Delvinë dhe emigroi në Greqi në 1997, ku jeton dhe punon.
Djalë i një familjeje punëtore, i mbushur ëndrra për një të ardhme më të mirë, punoi fort në Greqi, duke kontribuar në jetën publike greke.
Që në momentin e parë u aktivizua energjikisht për të drejtat e emigrantëve, për integrimin normal të tyre në shoqërinë greke.
Është ndërmjetës ndërkulturor i certifikuar në drejtorinë e shërbimit të emigrantëve në administratën e decentralizuar të Atikës.
Është kryetar i “Arogji – Përkrahja”, një organizatë joqeveritare, me aktivitet të njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Është anëtar i departamentit të të drejtave të njeriut dhe politikës së emigracionit në partinë Lëvizja për Ndryshim (KINAL).
EDA GEMI
kandidon me partinë KINAL në zonën e dytë të Athinës (Dytiko Tomea B Athinon)
Eksperte e shkencave politike, e specializuar për çështje të qeverisjes, emigracionit dhe politikave të integrimit.
Pasi ka përfunduar studimet në Universitetin Metropolitan të Londrës, Eda Gemi ka marrë masterin për shkenca politike në Universitetin e Athinës.
Flet greqisht, anglisht dhe italisht, përveç gjuhës amtare shqipe.
Është lektore dhe studiuese në ISR-Institute for Urban and Regional Research (Vienë); EUI- European University Institute (Firence), dhe Universiteti Europian i Tiranës.
Shqiptarët e njohin Eda Gemin si një aktiviste të shquar, studiuese, pedagoge.
KRISTOS DUCIS
kandidon me partinë “Elliniki Lysi” në zonën e dytë të Athinës (zonën e dytë të Athinës (Notios Tomeas B Athinon)
Ka kryer shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër.
Ka punuar si mësues në rrethin e Tepelenës.
Ka shërbyer në poste drejtuese në kooperativën bujqësore të Dropullit të Sipërm dhe në qytetin e Gjirokastrës.
Në 1991 emigroi familjarisht në Greqi.
Në 1993 u zgjodh kryetar i shoqatës “Digenis Akritas”. Në periudhën 1996-2005 ishte president i federatës “Shën Kozmai”, e cila nën drejtimin e zotit Duci ishte zëri përfaqësueses i homogjenëve nga Shqipëria dhe luftoi aktivisht e me rezultate konkrete për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në periudhën 2011-2015 ishte kryetar i Bashkisë së Dropullit të Sipërm.
TV Tribuna iu uron të gjithëve suksese në zgjedhjet e 7 korrikut!
Ndaje me miqte