Emigrant në Greqi, ja cilat janë të drejtat që të jep ligji
TV TRIBUNA
14 Gusht 2019
Shtetasit e vendeve të treta që jetojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi, gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe të vendosjes në tërësinë e territorit. Në raste të veçanta, me dekret presidencial, mund të ndalohet banimi dhe vendosja në zona të caktuara gjeografike të vendit, për arsye të interesit publik.
Shtetasit e vendeve të treta që jetojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi sigurohen në entet e sigurimeve shoqërore dhe kanë të njëjtat të drejta siguruese me vendasit.
Dispozitat ligjore për mbrojtjen sociale zbatohen edhe për shtetasit e vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Greqi.
Shtetasit e vendeve të treta që mbahen në qendrat e izolimit apo të riedukimit, informohen menjëherë sapo futen në institucion, në një gjuhë që e kuptojnë, për kushtet e jetesës, si dhe për të drejtat e detyrimet e tyre. Gjithashtu o ofrohen lehtësira për komunikimin me autoritetet diplomatike dhe konsullore të shtetit nga i cili kanë nënshtetësinë, si dhe me avokatët e autorizuar të tyre.
Vlefshmëria e lejes së qëndrimit nuk cenohet nga mungesat e përkohshme që nuk i kalojnë të gjashtë muajt në vit, as nga mungesat me kohëzgjatje më të madhe që bëhen për të kryer shërbimin ushtarak apo një mungesë të vazhdueshme prej 12 muajsh, për një arsye shumë serioze dhe posaçërisht shtatzani, sëmundje e rëndë, studime apo kualifikime në një tjetër vend anëtar të BE-së apo vend të tretë.
Shtetas të vendeve të treta me moshë të mitur që ndodhen në territorin grek i nënshtrohen arsimit të detyruar, ashtu si dhe vendasit. Shtetasit e vendeve të treta me moshë të mitur, që ndjekin shkollën në të gjitha nivelet, kanë akses, pa asnjë kufizim, në veprimtaritë e komunitetit shkollor apo arsimor.
Për regjistrimin në shkollë të të miturve kërkohen të njëjta dokumenta si edhe për vendasit.
Mund të regjistrohen në shkollat publike edhe kur kanë mungesë dokumentash, përderisa:
a. Mbrohen nga shteti grek si përfitues të mbrojtjes ndërkombëtare dhe ata që ndodhen nën mbrojtjen e Komisariatit të lartë të OKB-së
b. Vijnë nga zona ku ka gjendje lufte
c. Kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare
d. Janë shtetas të vendeve të treta që jetojnë në Greqi, edhe nëse nuk është zgjidhur çështja e qëndrimit të ligjshëm.
Me vendim të ministrit të arsimit dhe fesë mund të përcaktohen kushtet dhe kriteret për njohjen e titujve të studimit të nivelit parësor dhe dytësor që morën në vendet e tyre.
Me të njëjtin vendim mund të rregullohet çështja e shkollimit fakultativ në gjuhën amtare aty ku ka numër optimal nxënësish që e dëshirojnë, si dhe të përcaktohet marrëdhënia e punës e arsimtarëve që do të bëjnë mësimin e gjuhës amtare dhe të elementëve të kulturës të vendit të origjinës.
Shtetas të vendeve të treta, që kanë kryer arsimin e nivelit të dytë në Greqi, kanë akses në arsimin e nivelit të tretë, me të njëjtat kushte dhe kritere si edhe vendasit.
Për ushtrimin e çdo lloj veprimtarie profesionale nga shtetasit e vendeve të treta dhe përderisa përmbushen kushtet e tjera ligjore, nuk nevojitet vërtetim reciprociteti.
DETYRIMET E SHTETASVE TË VENDEVE TË TRETA
Shtetasi i vendit të tretë, gjatë qëndrimit të tij në Greqi është i detyruar të njoftojë shërbimet kompetente në administratën e decentralizuar të vendit apo në drejtorinë e emigracionit të ministrisë së brendshme:
a. Çdo ndryshim të adresës së banimit
b. Çdo ndryshim të gjendjes personale, posaçërisht ndryshimin e nënshtetësisë, lidhjen apo zgjidhjen e martesës apo lindjen e fëmijës.
c. Humbjen, rinovimin apo ndryshimin apo ndryshimin e të dhënave të pasaportës apo dokumenti tjetër udhëtimi.
d. Humbjen e lejes së qëndrimit.
SANKSIONI: Shtetasit e vendeve të treta që nuk respektojnë këtë detyrim, ndëshkohen me gjobë 50 euro dhe, në rast përsëritjeje, 100 euro.
Shtetasi i vendit të tretë, posedues i një lejeje qëndrimi, është i detyruar të largohet pa asnjë njoftim tjetër deri ditën e fundit që i skadon kjo leje, me përjashtim të rastit që ka aplikuar për rinovimin e saj dhe i është dhënë vërtetimi përkatës.
SANKSIONI: Shtetasi i vendit të tretë që shkel afatin e largimit vullnetarisht apo qëndron në mënyrë të paligjshme në Greqi për një afat që nuk i kalon të 30 ditët, detyrohet që gjatë largimit të paguajë një gjobë të barabartë me 4 fishin e tarifës për lejen e qëndrimit. Nëse koha e qëndrimit të paligjshëm është më e madhe se 30 ditë, atëherë paguan 8 fishin e tarifës për leje një vjeçare.
Nga gjobat përjashtohen:
a. të miturit
b. ata që kanë identitetin e homogjenit
c. ata që kanë identitetin e bashkëshortit apo prindit të shtetasit grek, homogjenit, apo shtetasi të BE-së
d. ata që janë përfshirë në procesin e rikthimit vullnetar
e. ata që e shkelin kohën e qëndrimit të ligjshëm për arsye madhore, përderisa largohen brenda 30 ditëve që nga zgjidhja e problemit.