Më poshtë vijojnë zhvillimet kryesore të ditës në Greqi, Shqipëri dhe botë.
GREQI
Forca të shumta zjarrfikëse nga toka dhe ajri po veprojnë që nga e diela në zonën e Ilias, për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në Friksa, Skiluntia dhe Kalivakia.
“Ka një dritare të hapur shansi për arritjen e një marrëveshjeje me dobi reciproke, por në asnjë rast nuk e kemi në xhep këtë marrëveshje”, deklaroi ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrugalos, për negociatat Athinë – Shkup.
“Rezoluta e përbashkët e gjithë grupeve politike do të jetë shumë e ashpër për autoritetet turke dhe do të kërkojë lirimin e menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë” që po mbahen prej më shumë se muaji në burgjet turke, deklaroi nënpresidenti i parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis, duke shtuar se rezoluta do të votohet me shumicë dërrmuese.
Moti në Greqi: Vranësira të dobëta me shtrëngata shiu lokale në zonën e Jonit dhe të Epirit. Temperatura, nga 8 në 26 gradë celsius.
SHQIPËRI
Komisioni Europian do të rekomandojë që Bashkimi Europian të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sipas një projekt-dokumenti të parë që citon nga Radio Europa e Lirë. Dokumenti thekson se reforma e administratës publike [ka qenë] e konsoliduar, me qëllimin për të rritur profesionalizmin dhe depolitizimin e saj. Megjithatë, Komisioni Europian ka paralajmëruar se ”rezultate të vazhduara, konkrete dhe të prekshme për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jenë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë”. Ky dokument është pjesë e paketës së përvitshme të Bashkimit Europian për zgjerimin që do të publikohet më 17 prill në Strasburg dhe që përcakton se sa larg janë vendet joanëtare të BE-së të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Nga denoncimet e qytetarëve të dërguara në portalin e platformës së bashkëqeverisjes janë shkarkuar në 5 muajt e fundit 46 punonjës të administratës. Në një dalje publike, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni tha se shkeljet janë kryesisht në zyrat e hipotekave dhe Aluiznit.
Një 40 vjeçar ka plagosur me thikë 3 persona mbrëmjen e së shtunës, në një lokal në fshatin Shën e Premte të Divjakës. Sipas policisë, 40-vjeçari është person me preçedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qënë i dënuar edhe më parë për plagosje me thikë. Në raportin e policisë thuhet se i arrestuari ka probleme të ekuilibrit mendor, dhe të njëjtin krim e ka bërë disa vite më parë, kur ka plagosur një tjetër person me thikë.
Banorët e qarkut të Kukësit dhe mjetet e transportit publik të zonës do të kenë tarifë të reduktuar kalimi në Rrugën e Kombit, njoftoi ministri i infrastrukturës dhe energjitikës Damian Gjiknuri gjatë një vizite në Kukës. “Jemi duke negociuar me koncesionarin, por njëkohesisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorin më shpesh rrugën Kukës-Tiranë” tha ai.
Caktohet trupa gjykuese që do të hetoje ish prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, pavarësisht se ai ka dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë. Komisioneri Publik i cili punon pranë organeve të reja të Vettingut ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pranë instancës tjetër të Vettingut që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Llalla dha doreheqjen nga sistemi i drejtësisë në 16 shkurt të këtij viti dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si instancë e parë e Vettingut, ndërpreu procesin e kontrollit të pasurisë së tij.
BOTA – RAJONI
Milo Xhukanoviç ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, pasi rezultatet paraprake e kanë nxjerr atë fitues. Xhukanoviç, që ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe një herë president, ka thënë se fitorja në zgjedhjet e së dielës është “edhe një fitore e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Malit të Zi”. Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se sondazhet e pavarura, kanë rezultuat që Xhukanoviç ka fituar rreth 54 për qind të votave, ndërsa rivali i tij kryesor, Mlladen Bojaniç, rreth 33 për qind.
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për të goditur sërish Sirinë nëse përsëriten sulme të tjera kimike. Ky paralajmërim vjen pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca goditën me raketa 3 qytete siriane në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik në Douma, rreth një javë më parë. Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët. Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u hodh poshtë një kërkesë të Rusisë për të dënuar sulmet e udhëhequra nga SHBA-të.
Bursat ruse pësuan rënie për shkak të sanksioneve të reja të mundshme amerikane që pritet të miratohen sot.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley deklaroi dje se SHBA-ja do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë si pjesë e përgjigjes së saj ndaj një sulmi të dyshuar kimik të kryer nga aleati i Rusisë, Siria.
Regjisori italian Vittorio Taviani, i cili, së bashku me të vëllanë Paolon, ka realizuar disa nga filmat më të famshëm të kinemasë italiane, vdiq në Romë, në moshën 88-vjeçare, njoftuan sot mediat, duke cituar burime të familjes së tij.