Kryeministri Edi Rama do të qëndrojë të hënën dhe të martën në Athinë, fillimisht për një veprimtari të veçantë dhe një ditë më vonë si i ftuar i Këshillit drejtues të Forumit Ekonomik të Delfit.
Në njoftimin e ministrisë së jashtme greke për ekspozitën, thuhet:
“Të hënën, 20 mars 2023 do të inuagurohet ekspozita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me titull “Improvisiations” (Improvizime) në pallatin Zappeion.
Ekspozita, që organizohet nga ministria e jashtme, paraqet punë me teknikë mikste dhe skulptura të kryeministrit shqiptar.
Ekspozita përbëhet nga 15 punë të reja që u krijuan në 2023 posaçërisht për këtë ekspozitë, 33 vepra të tjera si dhe një përzgjedhje punimesh në qeramikë nga viti 2015 deri më sot.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga e marta 21 mars deri të premten 31 mars 2023”.
Ende nuk është publikuar një program i detajuar mbi qëndrimin e zotit Rama në Athinë, por konsiderohet e sigurt se do të ketë të paktën një takim me homologun e vet grek, Kyriakos Mitsotakis.