Duka: Silvinjos i kemi propozuar rinovimin e kontratës, së shpejti e finalizojmë
27 Qershor 2024
TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, gjatë një interviste në “Tv Klan” ka deklaruar se është optimist për rinovimin e kontratës me trajnerin e kombëtares kuqezi, Sylvinios.
Duka tha se Sylvinios i ka mbaruar kontrata dhe se rinovimi i është propozuar që në janar dhe shumë shpejt pritet finalizimi i marrëveshjes.
“Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Europianit. Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë. Ne kemi pasur biseda. Secili njeri mendon për veten e tij. Nëse i vjen një shifër marramendëse, edhe mund të shkojë. Kontrata është e përfunduar kur e firmos në letër. Gjasat që të rinovojë, sigurisht që është mbi 50%”, tha Duka.
“Ne bëjmë aq sa mundemi për ta mbajtur, nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Në karrigen time, duhet të mendosh të gjitha gjërat. Dëshira për ta pasur është aq e madhe, sa ia kemi bërë që në janar ofertën për rinovim. Pas kthimit në Shqipëri bëmë një festë të vogël me stafin. Sot Silvinjo iku të pushojë dhe do të rikthehet për të vendosur për të ardhmen. Do vendosim para se të përfundojë Europiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligës dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mançini la Italinë për një ofertë të majme”, tha Presidenti Duka.
Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit zgjodhi Silvinjon si trajnerin më të mirë që ka pasur Kombëtarja dhe pas tij De Biasi-n.
“Nuk do t’i shmangem asnjë pyetjeje. Na erdhi për mirë goli i shpejtë ndaj Italisë se thyem një rekord. Ne mund të kishim menduar shumë gjëra, por të bënim golin për 23 sekonda ndaj Italisë nuk e menduam kurrë. Silvinjos i vë notë kaluese, pozitive, nuk ka kurrë 10 në futboll. I jap 7. Të parin zgjedh Silvinjon. Ka krijuar atmosferë pozitive në një kohë shumë të shkurtër. I dyti është De Biasi, sepse kemi shkuar në Europian me të për herë të parë. Nga pikëpamja taktike, kam respekt të madh për Oto Baric. Zhgënjimi më i madh nga të gjithë trajnerët është Panuçi, pasi tij, Dosena. Goli më i bukur i shënuar nga lojtarët e Kombëtares në Europian është i Bajramit. Lojtari më i mirë i Europianit nga ekipi shqiptar për mua ishte padiskutim Asllani”.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar komentoi edhe paraqitjen e Kombëtares në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” duke vlerësuar ekipin dhe stafin teknik, ndërsa shtoi se mund të bënim më mirë përsa i përket rezultatit.
“Ka gjëra për të cilat duhet të jemi krenar. Ekipi duhet falënderuar që na çuan atje, jo vetëm ata që ishin në Europian. Paraqitja ishte e mirë, rezultati nuk ishte i mirë. Rezultati do ishte i mirë nëse do ta kalonim grupin. Po të ishim pak më inteligjent do ta kishim kaluar grupin, po të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht. Ndeshjen e parë me Italinë pasi shënuam ndoshta ramë në emocion. Goli që në futboll duhet të të lirojë dhe të shkosh përpara, na futi nën presion. Në atë ndeshje mbase duhet të ishim më të përgatitur psikologjikisht. Por në total jam i kënaqur”, u shpreh Duka.
Presidenti Duka shtoi se duhet eksperienca, që të jetë më e lehtë menaxhimi i emocioneve edhe për lojtarët.
“Tani nga 24 skuadra, 8 do të eliminohen. Për mua të 24 janë të nivelit të lartë, përderisa bëhen pjesë e Europianit. Fakti që Gjeorgjia kalon dhe Ukraina nuk kalon me 4 pikë tregon se diferencat nuk janë shumë të mëdha. Qoftë edhe ne, mbase me më shumë zgjuarsi, apo me më pak emocion mund dhe duhet ta kishim kaluar grupin edhe pse ishim në ‘grupin e vdekjes’ siç u etiketua”, tha Duka.
“Nuk do të thotë ndonjë gjë, sepse ato skuadra që ishin në grup me ne u eliminuan janë më pak të forta, apo më të dobëta. Kam përjetuar emocione shkatërruese. Sidomos ndeshjen me Kroacinë kam menduar se nuk do të shkoj deri në minutën e 90, kështu që imagjino ato të tjerët që kanë qenë në fushë”, vijoi Duka.
Sipas tij, “më shumë emocione se tek ajo ndeshje nuk kam ndjerë asnjëherë në jetën time sepse ishim 1-0, shkonim pranë golit dhe duke e ditur atë teorinë e futbollit që nëse nuk shënon do të pësosh, ajo ma shtonte më shumë ankthin, emocionin dhe faktikisht ndodhi që ata shënuan dy herë. Pastaj ekipi tregoi shumë karakter që e barazoi dhe mund ta përmbyste atë rezultat. Emocioni kryesor ka qenë në atë ndeshje, por Europiani ka shumë emocion dhe prandaj thuhet që duhet eksperiencë. Pikërisht kjo është eksperienca që të menaxhosh emocionet”, theksoi kreu i qeverisë së futbollit shqiptar.
Presidenti Duka tha se në ekipin Kombëtar duhet të injektohet besimi, që në çdo ndeshje pavarësisht kundërshtarit ekipi duhet të futet në fushë vetëm për fitore.
“Në disa intervista për mediat italiane, kam thënë që fiton Shqipëria ndaj Italisë dhe të dyja kalojmë grupin. Nuk kam menduar lehtësisht se do të kalojmë grupin. Jemi munduar ta injektojmë këtë besim te skuadra ndaj Spanjës. Nuk e injektuam dot, siç kishte bërë Gjeorgjia sot. Ne duhet ta besonim fitoren me Spanjën duke marrë parasysh që ata e kishin realizuar objektivin e tyre”, tha Duka.
Ai shtoi se “ekipi jonë nuk arriti ta besojë pavarësisht se u mundua pafund dhe luajti mirë, krijoi shanset e veta por nuk i shfrytëzoi. Tifozeria shqiptare në Gjermani për mua ka qenë 10 me yll sepse jo vetëm se ishte në numër të paimagjinueshëm për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, por në të gjitha këndvështrimet. Për dekorin që kanë krijuar, për atmosferën në të tre qytetet që kanë pasur, ka qenë vërtetë fantastike. E bukura e kampionatit që njerëzit në përgjithësi e vlerësojnë me nota pozitive është që ne ishim në garë deri në momentin e fundit. Mund të ishte edhe ndryshe që të shkonim në ndeshjen e fundit për turizëm dhe nuk do të ishte interesante” vijoi Duka.
Kreu i FSHF tha se objektivi është pjesëmarrja në botëror dhe theksoi se gjithmonë luhet për fitore.
“Kur të shkojmë në Botëror, ne prapë do themi që luajmë për fitore. Ky është objektivi. Të gjithë ata që janë rreth kombëtares, duhet të injektojnë besimin për fitore. I pari Presidenti, i dyti trajneri dhe të gjithë ato që janë rreth Kombëtares deri te punëtori i fushës duhet të injektojnë të njëjtën gjë, besimin për fitore. Unë i kam dëgjuar këto përralla gjithmonë. I kam dëgjuar edhe kur thoja që do shkojmë në Europian, por ne u kualifikuam. Të gjithë duhet të besojnë te fitorja, jo vetëm Presidenti. Nuk mund të shkojmë në asnjë garë dhe kompeticion duke thënë që do humbas. Këtë e vlerëson publiku. Futbolli nuk ka fund. Mund të shkosh në finale, humb dhe thua është dështim. Unë këtë e quaj një histori super të suksesit të futbollit, të publikut, të opinionit dhe të gjithëve. Nëse hyn në një betejë për ta humbur kurrë nuk do ta fitosh. Në çdo ndeshje e përsërita që do ta fitojmë. Qëndrimi im para Europianit: ishte duhet të jemi krenar dhe jemi krenar që jemi në Europian. Ne nuk kemi se çfarë të humbim. Kam thënë që do të fitojmë ndaj Italisë dhe do ta them sërish”, u shpreh Presidenti Duka, i cili vlerësoi edhe lojtarët e ekipit Kombëtar.
Ndaje me miqte