Debat i ashpër për borxhin dhe deficitin e BE-së
ATSH
09 Nentor 2021
BRUKSEL, /ATSH-DPA/ Ministrat e Financave të BE-së ritheksuan qëndrimin e tyre për reformën pas pandemisë të rregullave strikte të buxhetit të përbashkët, duke nisur zyrtarisht debatin mbi paktin e stabilitetit dhe rritjen ekonomike.
Ministri austriak i financave Gernot Bluemel tha se Vjena kundërshton heqjen e detyrimeve për të reduktuar borxhin në raport me prodhimin ekonomik. “Kjo është e rëndësishme pasi krijon një hapësirë frymëmarrjeje për krizën e ardhshme,” tha ai.
Nga kampi i proreformës, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire tha se nxitja e investimeve është vendimtar për tranzicionin e Evropës drejt energjisë së rinovueshme dhe pavarësisë strategjike. Le Maire gjithashtu vuri në dukje hendekun në rritje midis niveleve të borxhit të vendeve anëtare. “Status quo-ja është e pamundur”, tha ai.
Marsin e kaluar, Komisioni Evropian e pezulloi paktin për herë të parë pasi shtetet anëtare u prekën nga kufizimet e gjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Që atëherë, borxhi është rritur.
Sipas rregullave të paktit – të cilat do të riaktivizohen në vitin 2023 – deficitet e qeverive duhet të qëndrojnë nën nivelin prej 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto ndërsa borxhi nuk duhet të rritet mbi 60 për qind të PBB-së.
Disa zyrtarë të BE-së dhe kryesisht shtetet jugore të BE-së duan më shumë fleksibilitet, për shembull shfuqizimin e objektivave të përgjithshëm dhe vendosjen e atyre të individualizuara për ata që kanë më shumë borxhe.
Shumë shtete anëtare aktualisht shkelin rregullat dhe pothuajse të gjitha e kanë bërë këtë në një moment të caktuar, me argumentimin se ato janë arbitrare dhe jorealiste.
Vende si Austria, Danimarka, Holanda, Suedia dhe Gjermania – të ashtquajtura kursimtare – mbështesin rregulla të rrepta, duke nënvizuar rëndësinë e detyrimeve të traktatit të BE-së për të shmangur borxhin dhe deficitet e tepërta.
Ndaje me miqte