Nga e shtuna në mjaft zona të Greqisë do të vihet në zbatim masa e ndalimit të qarkullimit në orët e natës.
Masa u komunikua të enjten nga kryeministri Mitsotakis gjatë një mesazhi televiziv.
Së pari, në zonat me rritje të rrezikshme të rasteve, ato të niveleve 3 dhe 4, do të ndalohet qarkullimi nga ora 24,30 e mesnatës deri në orën 05,00 të mëngjesit.
Përjashtohen sigurisht, ata që punojnë natën dhe rastet e emergjencës.
Masa e dytë ka të bëjë me përdorimin e detyrueshëm të maskës mbrojtëse, jo vetëm në ambientet e mbyllura, por edhe ato të hapura.
Zëvendësministri i mbrojtjes civile, Nikos Hardalias, sqaroi më vonë se lëvizja gjatë orëve të ndalimit do të lejohet vetëm nëse qytetarët kanë me vete vërtetim nga punëdhënësi dhe nga sistemi “Ergani”.
“Askush tjetër nuk do të qarkullojë nga ora 24,30 deri në 05,00”, nënvizoi Hardalias.
Sipas tij, ndalimi i qarkullimit në orët e natës do të zbatohet aktualisht në këto zona:
1)Zona të Kuqe (niveli 4):
Kozani
Kostur
2)Zona portokalli (niveli 3)
Atikë
Selanik
Iraklio
Lesvos
Samos
Ahaia
Zakinthos
Janinë
Karditsa
Trikala
Pela
Serres
Larisa
Viotia
Si dhe në ishujt e Cikladeve