Qeveria e re greke është orientuar drejt heqjes së plotë të kontrollit mbi qarkullimin e kapitaleve, i njohur si Capital Controls.
Ministri i financave, Christos Staikouras u ka dërguar përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare dispozitat e këtij projekti.
Në rast se institucionet japin miratimin e tyre, do të pasojë procedura formale dhe Greqia përfundimisht do të rikthehet në normalitet sa i përket qarkullimit të kapitaleve bankare.
Sipas ekspertëve, në këtë rast, bankat do të kenë likuiditet më të garantuar dhe bizneset e familjet do të mund të marrin kredi me kosto më të ulët.
Shfuqizimi i plotë i Capital Controls do të heqë gjithë kufizimet e deritanishme në transferimin e kapitaleve jashtë shtetit nga individë dhe persona juridikë.
Në bankën e Greqisë vlerësojnë se nuk ekziston rreziku për nxjerrjen masive të kapitaleve jashtë Greqisë, por përkundrazi mendojnë që kthimi në normalitet do të ndihmojë riatdhesimin e kapitaleve që u nxorën jashtë vendit gjatë viteve të krizës, sa nga individët, aq edhe nga biznesi.
Capital Controls u vendosën në 28 qershor 2015, kur kryeministri i atëhershëm, Aleksis Tsipras shpalli vendimin për mbajtjen e referendumit mbi masat që kishin propozuar kreditorët e Greqisë.