Bypass-i Fierit hapet më 27 qershor, Balluku: Në akset e tjera vijon puna me intensitet
ATSH
24 Qershor 2019
TIRANË, 24 qershor /ATSH/- Hapja e një prej korsive të bypass-it të Fierit, shmang trafikun që krijohet gjatë sezonit turistik dhe shkurton kohës që duhet për të lidhur kryeqytetin me jugun e vendit.
Bypass-i Fierit hapet më 27 qershor për kalimin e të gjitha automjeteve (të tonazhit të rëndë dhe autovetura) duke lehtësuar kështu lëvizjen gjatë sezonit të verës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, foli sot për projektet e nisura në infrastrukturën rrugore nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Në një intervistë televizive, Balluku tha se, një ditë më parë ka bërë inspektimin e fundit në bypass-in e Fierit.
“Në bypass-in e Fierit, pas financimit është punuar në 6 muajt e fundit me ritme të jashtëzakonshme. Ishte kthyer në makthin e gjithë shqiptarëve. Dje kam bërë inspektimin e fundit dhe mbrëmjen e së dielës në këtë aks 700 metra ishin mbyllur dhe kishin mbetur 200 metrat e fundit. Në mbrëmjen e datës 27 do lëvizen të gjithë betonët që bllokojnë autostradën dhe bypass-i Fierit do jetë i aksesueshëm”, tha ministrja.
Sipas saj, bypass-i i Tepelenës ndryshe nga projektet e tjera të infrastrukturës ka një kompleksitet tjetër. Ndoshta do jetë një nga rrugët më të bukura. Po ecet me ritme të shpejta. Besojmë që deri në dimër do ketë përfunduar traseja.
Sa i përket Rrugës së Arbrit, Balluku theksoi se, është një rrugë me kompleksitet brenda së cilës ka 6 tunele e disa ura. Punimet po ecin me intensitet dhe sipas parashikimeve.
Duke u rikthyer në kryeqytet, ministrja e Infrastrukturës foli edhe për Unazën e Madhe. “Di që loti i dytë ka rezultuar i pastër dhe kompania është gati të nisë nga puna. Pra nga mbikalimi i Unazës së Re deri tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, pa e përfshirë këtë të fundit”, tha ajo.
Lidhur me hekurudhën Tiranë-Durrës, ministrja Balluku bëri të ditur se, janë kualifikuar 8 kompani.
“Projekti ka kaluar fazën e parë, pra që nuk ka më objeksione nga financuesi që është BERZH. Janë kualifikuar 8 kompani dhe ka nisur procesi i supervizionit. Të gjitha projektet e financuara janë projekte që japin siguri në zhvillimin e tyre por kanë një rrugë burokratike të gjatë. Ne jemi të detyruar të ndjekim të gjitha proceset e vendosura nga BERZH”, deklaroi Balluku.
Ndaje me miqte