Britania e Madhe alias e ardhmja e një vendi të lodhur
Arian Jorgaqi (ATSH)
13 Mars 2019
TIRANË, 13 mars /ATSH/ – Nuk është panik, as zemërim dhe as frustrim, pasi ajo çfarë ndihet në Londër është lodhje, shkruan sot Beppe Severgnini në gazetën italiane ”Corriere della Sera”.
”E njoh këtë qytet prej 40 vitesh dhe e frekuentoj për arsye pune që prej 35 vitesh: nuk e kam parë kurrë në këtë gjendje. Qeveria britanike nuk di çfarë të bëjë dhe kombi nuk arrin të dalë nga një situatë që shumë analistë, duke mos ditur çfarë të thonë tjetër, e përkufizojnë si qesharake, si një farsë. Por, farsa të shkakton të qeshura dhe e qeshura është gjëja e fundit që duan të bëjnë sot në Britaninë e Madhe.
Votimi i mbrëmshëm – disfata e re parlamentare e Theresa May, e dyta në më pak se dy muaj – është shkatërrimtare. Para se të jetë politike dhe ligjore, drama angleze është psikologjike. Shumë – maxhoranca sidomos – e kuptojnë se u mashtruan në vitin 2016: nga falsiteti i atyre që propozuan Brexit dhe nga pakujdesia e atyre që e kundërshtuan, David Cameron në krye (ai po udhëton nëpër botë duke mbajtur konferenca të mirëpaguara, sikur çështja të mos i përkiste atij).
Askush nuk e di se si të shkohet përpara.
A duhet dalë nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje? A duhet kërkuar një kohëzgjatje? – edhe pse askush nuk e di se si të kthehet pas. A duhet mbajtur një referendum i dytë? Dhe për çfarë saktësisht?
Ju tregova, duke folur dje në mëngjes në Chatham House, sesi ne italianët, rezervojmë një dozë cinizmi mbi politikanët dhe qeveritë edhe nëse kemi votuar për ta. Në kohë normale, ky qëndrim krijon probleme që i njohim; por në raste të jashtëzakonshme, si këto që po përjetojmë, ai siguron një valvul sigurie. Pas të gjithave – ndodh që të mendojmë – se disa zhgënjime i prisnim. Votuesit britanikë janë të ndryshëm: disa gjëra nuk i presin. Ndoshta ata nuk e pranojnë, por ata besojnë në profesionalizmin e politikanëve të tyre. Dhe spektakli politik që ata marrin pjese për gati tre vjet është i turpshëm, në të vërtetë: amatoresk.
Dhe amatorizmi për anglezët është i pafalshëm.
Çfarë do të ndodhë tani është e pamundur të dihet. Por, diçka duhet të ndodhë, sepse kombi që mburret të dijë se si të ruajë qetësinë në momentin e rrezikut është në prag të një krize nervore. Një dalje e shpërbërë nga Bashkimi Europian – pa një marrëveshje, në thelb duket e pamundur (vota e sotme, sigurisht, mund të tregojë të kundërtën). Një kohëzgjatje përtej afatit të planifikuar (29 mars) duket të jetë zgjidhja më e mirë e mundshme. Por, për të bërë çfarë, kur, si dhe me kë?
“Nje çmendinë demokratike”, kështu do ta titulloj historinë e këtyre ditëve, që filluan të hënën me një pritje prej katër orësh në anën tjetër të La Mnashit (grevë e doganave franceze, e shqetësuar për Brexit!). Po lexoj, shoh dhe dëgjoj gjëra të pabesueshme për ata që e njohin këtë vend. Dje kam folur gjerësisht me kolegët e ‘’The Economist’’, në vendndodhjen e re, plot shkëlqim në Strand. Unë i njoh mirë ata dhe i konsideroj ndër më të mirët në botë: edhe ata nuk kanë asnjë ide se çfarë mund të ndodhë. Brexit sfidon çdo logjikë dhe logjika është xhevahiri më brilant në kurorën mendore britanike.
Një zgjidhje – ngre hipotezën një kolege amerikane që jeton në Londër, Anne Applebaum, fituese e çmimit ”Pulitzer” – mund të jetë rruga norvegjeze: dalja nga Bashkimi Europian dhe mbetja në treg e vetme. Por, kjo do të thotë garanci – së bashku me atë të mallrave dhe shërbimeve – lëvizjen e lirë të njerëzve; dhe këtë Brexiteers-at nuk do ta pranojnë kurrë. Nga frika e një pushtimi – joekzistent: të huajt sollën krahët, trurin, burimet dhe imagjinatën në Britaninë e Madhe – u ndërtua fushata fitimtare e vitit 2016. Për të rihapur kufijtë, për ta, do të ishte e pakonceptueshme.
Blloku i pengesës, ndaj të cilit marrëveshja me BE-në është zhytur, është ‘’backstop’’ (siguria se nuk do të rikthehet kufiri fizik midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës). Por, në kaosin politik britanik janë të përfshira dhe ambicie personale (pasardhësit e Theresa May), konfuzion (ambivalenca e laburistit Jeremy Corbyn), propaganda (dje Boris Johnson përsëriti, në Dhomën e Ulët, se “BM nuk dëshiron të jetë një koloni e Bashkimit Europian “). Por, ka një aspekt tjetër serioz, vendi është i paralizuar.
Debati i pafund mbi Brexit pengon funksionimin normal të qeverisë dhe parlamentit.
Kjo është një pikë themelore, që nuk përfundon me votën e djeshme, as me ato të sotmet dhe të së nesërmes. Në rastin e daljes nga Bashkimi Europian, Londra do të duhet të negociojë një seri shumë të gjatë të marrëveshjeve dypalëshe në çdo sektor. Dhe Dhoma e Ulët do të duhet të votojë për to, një për një. Një makth të cilit nuk i shihet fundi. Dhe kjo mund të shmanget.
Por, si?
Duke qëndruar brenda familjes europiane, së cilës Britania e Madhe i përket. Për nga historia, nga karakteri dhe nga merita.
Ndaje me miqte