BERZH do të investojë këtë vit në Greqi deri 600 milionë euro
Tribuna TV
27 Mars 2018
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të kërkojë nga bordi i vet që të zgjasë edhe pesë vjet të tjerë misionin në Greqi, deklaroi presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti. “Jam i sigurt se ky miratim do të jepet”, i deklaroi agjencisë Reuters z. Chakrabarti, i cili të martën në mesditë u prit në Athinë nga kryeministri grek, Aleksis Tsipras.
Presidenti i BERZH i tha agjencisë Reuters se vatëm gjatë vitit në vazhdim Banka do të avancojë në investime me vlerë 400 – 600 milionë euro në Greqi.
“Greqia është aktualisht tregu i pestë më i madh për bankën tonë nga 37 vendet. Duam të përfshihemi në sa më shumë programe të ketë mundësi, në sektorë si turizmi, pasuria e patundshme dhe burimet e rinovueshme të energjisë, por edhe në sektorë inovatorë, si agrobiznesi dhe programe të tjera të energjisë së gjelbër deri në vitin 2020. Me zgjatjen e afatit të misionit, banka do të mundë të bëjë më shumë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në të gjithë Greqinë”, theksoi presidenti i BERZH.
Në takimin me kryeministrin Tsipras biseda u fokusua në rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë, si dhe në investimet e BERZH.
Shefi i qeverisë vendase nënvizoi përfitimet e ekonomisë greke nga aktivizimi i BERZH-it në Greqi, ndërsa shprehu besimin se zgjatja e afatit të qëndrimit të misionit do të ndihmojë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.
Nga ana e vet, Suma Chakrabarti vuri në dukje se investimet e BERZH në Greqi vitet e fundit kanë arritur në 2,5 miliardë euro, ndërsa bëri të njohur vendimin që banka të hapë një filial të vetin në Selanik që do të merret me financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ndaje me miqte