Basha në Laç: Qeveri teknike kalimtare, zgjedhje të parakohshme
Tribuna TV
04 Shkurt 2019
“Koha e fjalëve ka mbaruar. Ka ardhur koha që populli të vendosë fatin e vet. Duhet qeveri teknike kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur situatën në vend”, deklaroi sot në Laç, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“E di, që kjo trevë është goditur nga qeveria për t’ju detyruar për t’u larguar nga vendi juaj. E di, që prej një viti 3500 familje me ndihmë ekonomike janë larguar nga ndihma ekonomike. E di, që ka tre fshatra pa energji, sepse qeveria u ka prerë dritat në vend që t’i subvencionojë dhe t’u japë para. E di, se spitali i qytetit tuaj është në gjendje më të keqe se sa spitalet fushore të Luftës së Parë Botërore. E di, se buxheti i shteti dhe taksat tuaja janë shndërruar në pasuri për pushtetarët”, tha Basha.
“Koha e fjalëve ka mbaruar. Ka ardhur koha që populli të marrë në dorë fatin e tij. Kanë kaluar gjashtë vite dhe e keqja është ngulur thellë e më thellë. Nuk ka zhvillim, mirëqenie dhe Europë me Edi Ramën”, tha Basha.
Në fund, Basha tha se duhet qeveri teknike kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme për të dalë nga kjo gjendje.
“Ne i kemi planet, do ju marrim pasuritë oligarkëve dhe do ua japim ju dhe çdo i korruptuar do jetë para drejtësisë. Por që të ndodh kjo duhet rikthejmë institucionet, ligjin dhe mbi të gjitha duhet të kthejmë dhe demokracinë. Kjo mund të ndodh vetëm përmes një qeverisje kalimtare dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, theksoi Basha, ndërsa ripërsëriti thirrjen për t’u bashkuar në protestën e 16 shkurtit në Tiranë.
Ndaje me miqte