Balla: Vota e emigrantëve, i vetmi kusht i PS-së për reformën zgjedhore
ATSH
18 Prill 2019
“I vetmi kusht që Partia Socialiste ka për reformën zgjedhore është vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë dhe kjo mund të realizohet në fazën e dytë të kësaj reforme të rëndësishme”, deklaroi në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balla përshëndeti fillimisht si një moment të rëndësishëm krijimin e grupeve parlamentare të opozitës.
Balla informoi se “ka propozuar që 28 nëntori të jetë afati përfundimtar i punës së këtij komisioni”.
Balla shtoi se PS nuk ka asnjë kusht për reformën zgjedhore, por miraton tërësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në tre zgjedhjet e fundit, të cilat janë një detyrim në fazën e parë të reformës.
Por, sipas Ballës, i vetmi kusht që Partia Socialiste ka për reformën zgjedhore është vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.
“1/3-ës së shqiptarëve që jetojnë jashtë për 28 vite me radhë u mohohet e drejta të shprehen me votë se kush e drejton vendin e tyre. Ne nuk e kemi përfshirë në këtë fazë të parë, por sa i përket fazës së dytë të gjithë kësaj reforme të rëndësishme, vota e shqiptarëve është kushti i vetëm. Për të tjerat, punë të mbarë së bashku”, – tha Balla.
Ndaje me miqte