Athina për pronat e Bregdetit: Fletorja Zyrtare u tërhoq
TV Tribuna
31 Mars 2019
Fletorja zyrtare ku përfshihej vendimi i qeverisë shqiptare për publikimin e 67 hartave ku pezullohej kalimi i titujve të pronësisë, nuk figuron më në portalin e QBZ-së (qendra e botimeve Zyrtare).
Kështu njofton Agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, duke cituar burime nga ministria e jashtme vendase.
Të njëjtat burime i kanë deklaruar agjencisë që “mesazhi i djeshëm i kryeministrit Tsipras ishte veçanërisht i qartë dhe nuk linte asnjë hapësirë keqinterpretimi nga ana e udhëheqjes shqiptare”.
Burimet nga ministria e jashtme greke kanë shtuar se pas heqjes nga qarkullimi të fletores Zyrtare me numër 43, “mbetet të shihet nëse kjo lëvizje ishte hapi i parë për anulimin e plotë të vendimeve të papranueshme që shënjestrojnë minoritetin grek dhe pronat e tij, duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme perspektivën europiane të Shqipërisë”.
“Kjo perspektivë ka si kusht respektimin e plotë të të drejtave të gjithë minoriteteve që jetojnë në Shqipëri dhe që presim të sanksionohen në ligjet zbatuese për minoritetet”, citohen burime të ministrisë së jashtme greke nga agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA.
Ndaje me miqte