Amendamentet për nënshtetësinë, brenda 15 ditëve në parlament
TRIBUNA TV
04 Nentor 2018
Ministri i brendshëm grek, Aleksis Haritsis, ka deklaruar se amendamentet e reja që do të zbatohen në procedurat e marrjes së nënshtetësisë greke do të paraqiten në parlament brenda 15 ditëve të ardhshme.
Ministri e ka bërë këtë deklaratë gjatë një interviste për gazetën “Real News” që publikohet të dielën.
I pyetur se cilat janë karakteristikat kryesore të amendamenteve dhe kur ato do të paraqiten në parlament, ministri Haritsis është përgjigjur:
“Është e rëndësishme t’ju rikujtoj se deri në vitin 2015 nga procedurat e marrjes së nënshtetësisë greke përjashtoheshin kategori të konsiderueshme bashkëqytetarësh tanë, sidomos fëmijtë që kanë lindur dhe janë arsimuar në Greqi.
Ishte qeveria jonë që aktivizoi procedurat përkatëse që përbëjnë detyrim për një shtet i cili dëshiron të konsiderohet shtet i të drejtës.
Amendamentet që do të sjellim në parlament 15 ditëshin e ardhshëm, unifikojnë, thjeshtëzojnë dhe përshpejtojnë procedurat dhe paralelisht krijojnë një sistem më transparent dhe objektiv për dhënien e nënshtetësisë.
Synimi ynë është që të reduktohet burokracia dhe ndërpriten sorollatjet e bashkëqyetarëve tanë që në bazë të ligjit u takon të marrin nënshtetësinë”.