Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në aksin rrugor Verior (BOAK) në Kretë, pranë urës së Galatasit. Një minibusi turistik me 19 pasagjerë është përplasur me një makinë që kishte në bord katër të rinj. Një nga këta të rinj ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë janë plagosur rëndë.
Të rinjtë në makinë ishin bllokuar dhe ka qenë e nevojshme ndërhyrja e zjarrfikësve për t’i nxjerrë ata nga rrënojat. Një i ri është gjetur i vdekur, ndërsa tre të tjerët janë dërguar në Spitalin e Chanias me plagë të rënda. Dy nga këta të rinj ishin pa ndjenja kur janë nxjerrë nga mjeti.
Personat në minibusin turistik, përfshirë një familje me fëmijë të vegjël, nuk kanë pësuar lëndime të rënda, por janë dërguar gjithashtu në spital për kontrollime të mëtejshme.