Ylli Manjani dhe Rilindja rumpallë...
Prof. As. Dr. Enver Bytyçi
30 Janar 2017
Dita e parë e javës u hap me një lajm përmbyllës në fund të një odiseje akuzash e kundërakuzash në kampin e Rilindjes: Shkarkohet ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Akuza: Ka folur pa lejen e Endri Fugës, domethënë të Padishahut, Sulltan Aladin Edi Rama! Ylli Manjanin e zevendëson Petrit Vasili. Kështu një mjek do ta shërojë drejtësinë e sëmurë, sepse juristi Manjani nuk ishte “i aftë” ta bënte këtë!!! Megjithatë u vu në krye të dikasterit të drejtësisë një kritik tjetër i spikatur i qeverisë Rama! Dhe nuk u shkarkua ai që tronditi në themel aleancën rilindase, ministri i Mjedisit, Lefter Koka!
Ilir Meta priti në zyrë mëngjesin e sotëm kreun e ekzekutivit, zotin Rama, dhe pranoi ultimatumin e tij: “Ose shkarkohet Ylli Manjani, ose largohuni nga koalicioni!”. Vënia para kësaj alternative e vështirësoi pozicionin e kreut të LSI-së, ndërkohë që ai dha sinjalet e një tërheqjeje që të shtunën, kur kërkoi të ulen tensionet retorike e të “bëhet me shumë punë”.
Vetë i kishte nxitur vartësit e tij në qeveri të ngrinin tonet dhe ta telendisnin qeverisjen e zotit Rama dhe po vetë u tërhoq, përkohësisht ose jo, megjithatë me “bisht nën shalë”. Ilir Meta në mënyrë të pazakontë u vu nën çizmen e Edi Ramës, madje për një ministër, të cilin e dërgoi aty pikërisht për kundërpeshë me aleatin e tij. U duk se debati i nisur para dy javësh do të përfundonte me një divorc të PS-së dhe LSI-së dhe vendi do të shkonte kështu në 45 ditë në zgjedhje të reja, ndoshta me një qeveri ekspertësh ose teknike.
Në fakt epilogu i betejës kalorsiake midis dy kokave të qeverisjes përfundoi me prerjen e njërës prej tyre, “të kokës më të vogël”. Shumë njerëz kanë shtruar sot pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi në këtë spektakël politik unikal në llojin e vet. Nga pikëpamja politike fitoi kryeministri Rama. Ai provokoi dhe e vuri nën gjunjë aleatin “e fuqishëm” në koalicion. Iu deshën vetëm 45 minuta të qëndronte në ring, jo më shumë. Pas 45 minutash ngriti flamurin e fitores. Humbi kreu i LSI-së, zoti Meta, qoftë dhe përkohësisht! Ndërsa çmimin më të madh nga të tilla lojëra politike duket se do ta paguajnë shqiptarët.
Bazuar në deklaratën e ministrit të shkarkuar, zotit Manjani, shqiptarët do të paguajnë dhomat luksoze të hotelit të Balilit, ku ministrat e Ramës bëjnë orgji me paratë e shqiptarëve! Qytetarët e këtij vendi do të paguajnë, gjithnjë sipas zotit Manjani, korrupsionin që bëhet në tavolinën ovale të zbukuruar me flamurin kuq e zi e në sfond portretin e Ismail Qemalit të qeverisë shqiptare, ku votohen vendime korruptive, ku favorizohen bizneset e miqve të kryeministrit e kështu me radhë. Ndërsa fatura e korrupsionit nën tavolinë është shumëfish më e lartë. Ne do të paguajmë kufizimin pa limit të demokracisë, transparencës dhe fjalës së lirë, sepse gardiani i tyre do të vazhdojë të jetë kryeministri Rama dhe shefi i tij i kabinetit, Endri Fuga, i ngarkuar gjithashtu të vëzhgojë shpërndarjen e parave për OJQ-të që i bëjnë fresk qeverisë në fushatë zgjedhore! Ne do të paguajmë në votime investimin që qeveria ka bërë dhe bën për përhapjen e kultivimit dhe trafikut të drogave! Ne do të paguajmë kështu rilindjen e diktaturës, të diskriminimit, të dhunës, të luftës për mbijetesë, atë rilindje, të cilën Rexhep Qosja ia kumtoi zotit Rama që kur ky i fundit ishte në opozitë, me qëllim që t’i nënshtronte, përdhunonte dhe poshtëronte shqiptarët!
Po jo vetëm kaq. Zoti Manjani u tha shqiptarëve se qeveria Rama është një qeveri e kapur nga mafia dhe një qeveri mafioze është kostoja më e lartë e një kombi. Ai u shkarkua nga detyra menjëherë pasi kërkoi arrestimin e Balilit, që do të thotë se ministrat në këtë vend i emëron dhe shkarkon eskobari, kreu i mafies ballkanike e shqiptare, jo kryeministri i vendit, që do të thotë se ekzekutivin shqiptar e drejton mafia dhe jo politika, aq më pak një elitë politike e orientuar nga interesat e vendit e të kombit! Manjani tha se aleatët i kanë kërkuar zotit Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Por kryeministri në vend të shkarkojë Tahirin, i cili akuzohet për mbrojtjen e trafikantëve të drogës dhe kriminelëve që marrin peng shtetin, shkarkon kritikët e panënshtruar nga mëkëmbësi i tij, Fuga! Kush tjetër, veç shqiptarëve, do ta paguajë gjithashtu këtë kosto të bashkëpunimit me krimin, trafikun, padrejtësinë, antiligjin, antishtetin?! Këto ishin mesazhet e paradites së sotme!
Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë në fakt ishte simbolikë, nuk është zgjidhja. Simbolika është e dukshme në dritë të diellit. Hashashi është aty edhe pa Ylli Manjanin. Po ashtu ministrat e Ramës në mos fjetshin tashmë në hotelin e Klemenet Balilit, do të flenë në hotelet e Balilajve të Vlorës ose të Shullazëve të Tiranës. Simbolika shkon edhe më tej: Pa lejen e kryeministrit nuk mund të marrin frymë jo vetëm ministrat, por askush në oborrin e tij, madje edhe ata që jetojnë në periferi të këtij oborri kryeministror! Kush guxon, përballet me “shpatën e mprehtë” të Zeusit shqiptar të shekullit XXI.
Në konferencën për shtyp zoti Manjani foli përsëri dhe duket se tani do të jetë “i lirë” nga Rama që t’i shprehë shumë të vërteta të hidhura të qeverisjes së Rilindjes. Gjithnjë nëse zoti Meta do ia japë lejen dhe lirinë e shprehjes. Por së paku Rama nuk ka në dorë ta pengojë më atë. Ka në dorë vetëm të urdhërojë mediat, që ta ndalojnë përhapjen e fjalës së tij. Megjithatë dhe për kaq sa ka folur zoti Manjani ka krijuar identitetin e tij të veçantë, i ka dhënë një dimension të caktuar frymës së lirisë në këtë vend. Por nuk mjafton. Ose duhet shkarkuar gjithashtu ministri Koka, ose duhen deklasifikuar motivet, arsyeja dhe shkaku i shkarkimit të zotit Manjani. Sepse Lefter Koka tha ndoshta diçka më shumë sesa Ylli Manjani. Ndërkaq duhet të shohim në javët në vazhdim nëse Petrit Vasili do të shfaqet si më parë “parimor e kritik”, apo do të struket nën tavolinën ovale të kabinetit me gojën mbyllur dhe dorën lart në miratim të aferave të reja të Rilindjes alla Qosja-Rama. Duhet të shohim edhe eksponentët e tjerë të LSI-së, nëse do të guxojnë pas këtij presioni e diversioni që bëri kryeministri të shprehen lirshëm me kritika për qeverisjen e Rilindjes.
Shkarkimi i Ylli Manjanit ishte diversion politik e njëkohësisht test për Ilir Metën. Në finish Rama provoi se është i aftë t’i imponohet aleatit të tij, ndoshta deri në atë masë sa t’ia diktojë kushtet për vazhdimin e koalicionit qeveritar të Rilindjes 2 pas 18 qershorit, nëse ky koalicion do të marrë votat e shqiptarëve. Modeli i Bashkisë së Durrësit është provuar si produktiv. Duket që zoti Rama do ta detyrojë zotin Meta që të bëjë të njëjtën gjë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndërkaq opozita duhet të jetë më e fokusuar për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare me aleatët e saj, të cilët i qëndruan asaj besnikë në këto vite shumë të vështira për të për shkak të arrogancës së shfrenuar të Rilindjes së dështuar të bëjë shtet demokratik, human, liberal dhe funksional. Opozita duhet të vijë në pushtet jo pse koalicioni qeverisës grindet dhe pa përfituar nga konflikti në gjirin e mazhorancës. Opozita ka mundësi, aftësi, resurse, energji, eksperiencë, dije dhe kapacitete të krijojë frymë anti-Rilindje me qëllim që t’u japë shqiptarëve shpresën për një kthesë rrënjësore në zhvillimin e vendit. Opozita e Manjanit, Kokës, madje dhe e Ben Blushit e disa të tjerëve që shfaqen si anti-Ramë me porosi të Ramës nuk e kthen shpresën te shqiptarët. Eshtë opozita reale, e dhunuar, e etiketuar deri në ekstrem me fjalët më fyese nga kreu i mazhorancës, ajo që i bashkon shqiptarët dhe bën të mundur ndryshimin. Mjafton t’i bindë qytetarët e këtij vendi se ky ndryshim nuk do të sjellë zhgënjim.
Ndaje me miqte