Wayne Rooney tërhiqet nga Kombëtarja angleze
24 Gusht 2017
Sulmuesi anglez, Wayne Rooney, i transferuar këtë verë nga Manchester United te Everton, ka bërë të ditur të mërkurën se është tërhequr nga seleksioni në moshën 31-vjeçare, pas 119 prezantimesh me fanelën e Anglisë.
“Pasi kam marrë vendimin e vështirë pas reflektimit, i thashë Gareth Southgate, seleksionerit të Anglisë, se “kam vendosur që të tërhiqem”, ka bërë të ditur ylli anglez në rrjetet sociale.
Ai nuk ka qenë veçse 17 vjeç kur është seleksionuar për herë të parë dhe tashmë Wayne Rooney do të përqendrohet te klubi i ri i tij, Everton. Rooney është shënuesi më i mirë i seleksionit të Anglisë me 53 gola.
Por Wayne Rooney është dhe golashënuesi më i mirë në histori të skuadrës me më shumë trofe në Angli, Manchester United.
Në janar 2017, pasi shënoi golin e tij të 250-t me fanellën e gjigantit anglez, Rooney u vlerësua lart nga Sir Bobby Charlton, të cilit edhe ia theu rekordin.
Pasi shikoi nga tribunat golin spektakolar të shënuar nga Rooney nga gjuajtja e lirë në minutat shtesë në barazimin 1:1, në transfertë ndaj Stoke Cityt, Charlton u fut në dhomat e zhveshjes të skuadrës për të uruar sulmuesin.
“Eshtë një arritje e jashtëzakonshme për karrierën e tij të ketë një rekord të Manchester Unitedit, një rekord që e mbante një legjendë si Bobby Charlton”, ka thënë trajneri i Unitedit, Jose Mourinho. “Tani ai është njeriu i rekordit dhe legjendë e Manchester Unitedit”.
Por në përfundim të sezonit, Murinho deklaroi se Rooney nuk është në planet e tij të ardhshme. Kështu që sulmuesi legjendar, pasi pati edhe një ofertë shumë të mirë nga Kina, preferoi rikthimin tek Everton, prej nga ishte larguar 13 vjet më parë për të shkuar te Manchester United.
Ndaje me miqte