Vepra të piktorëve shqiptarë ekspozohen në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Athinë
08 Prill 2017
Disa vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve Figurative do të marrin pjesë në një ekspozite në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë dhe në “Documenta 14 “në Kasel, falë mbështetjes të Ministrisë së Kulturës. Pjesëmarrja e Galerisë Kombëtare të Arteve me vepra nga fondi i saj realizohet në bashkëpunim me drejtorin artistik të ekspozitës, z. Adam Szymczyk. Kjo pjesëmarrje është e ndarë në dy etapa: 15 (pesëmbëdhjetë) vepra arti do të ekspozohen në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë, nga data 8.4 - 16.7.2017 dhe 3 (tre) veprat e tjera janë kërkuar të ekspozohen në Muzeun e Arteve të Bukura Neue Galerie në Kasel, nga data 10.6 - 17.9.2017.
Artistët që marrin pjesë në “Dokumenta 14” janë: Abdurrahim Buza (2 punë), Kel Kodheli, Hasan Nallbani, Spiro Kristo (2 punë), Sotir Capo, Arben Basha, Pandi Mele, Zef Shoshi, Gani Strazimiri, Androniqi Zengo Antoniu (3 punë), Foto Stamo, Hasan Reçi, Edi Hila dhe Llambi Blido. Gjithsej janë 18 vepra të 14 autorëve.
Pjesëmarrja e veprave të fondit të GKA-së në këtë ekspozitë merr një vlerë të veçantë për shkak të rëndësisë themelore estetike dhe historike që mbart Koncepti kuratorial i këtij edicioni, i përcaktuar nga drejtori artistik, z. Adam Szymczyk titullohet “Learning from Athens” [Të mësuarit nga Athina] dhe mëton të ndërtojë një metaforë të distancës mes Athinës dhe Kaselit, që ndryshon themelisht përjetimin e këtij edicioni të ekspozitës nga publiku.??Ekspozita do të qëndrojë e hapur përgjatë periudhës 8.4 - 16.7.2017 në Athinë (Greqi) dhe 10.6 - 17.9.2017 në Kasel (Gjermani).
Ekspozimi në Athinë bëhet në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor dhe në Muzeun “Benaki”, në Athinë. Kurator i ekspozitës është artisti kosovar, ish-drejtor i Galerise se Kosoves, z. Erzen Shkololli.
Ndaje me miqte