Vdes Umberto Eco një nga penat e mendjet më të ndritura të kohës tonë
20 Shkurt 2016
Romancieri dhe filozofi italian Umberto Eco, autor i romanit mjaft të njohur “Emri i trëndafilit”, ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçe, sipas mdiave italiane që transemtuan lajmin mesnatën e të premtes për të shtunë.
Umberto Eco vdiq të premten, ora 21,30 në shtëpinë e tij, kumtoi La Repubblica, duke iu referuar burimeve nga familja. Eco, që jetonte në Milano, vuante nga kanceri.
I lindur në Alessandria (Italia e Veriut), më 5 janar 1932, dhe studioi për filozofi në Universitetin e Torinës në vitet 1950.
Ndërsa po u afrohej të pesëdhjetave, Eco njohu një sukses të paimagjinueshëm me romanin e tij të parë, që u botua në 1980: “Emri i tëndafilit” shiti 9 milionë kopje në të gjithë botën dhe u përkthye në 43 gjuhë.
Romani u bë edhe film në 1986, nga regjisori Jean Jacques Annaud (Zhan Zhak Ano), me protagonist Sean Connery-n, në rolin e fratit Gulielm i Beskervilit, një ish inkuizitor që heton për vdekjen e dyshimtë një murgu në një abaci të Italisë veriore.
“Umberto Eco, një nga intelektualët më të njohur të Italisë vdiq”, ishte titulli në portalin e Corriere della Sera-s. “Eco ishte një prezencë e rëndësishme në jetën kulturore italiane të 50 viteve të fundit, por emri i tij mbetet pazgjidhshmërisht i lidhur në nivel ndërkombëtar, me suksesin kolosal të romanit Emri i trëndafilit”, shkruan Corriere.
“Njerëzimi humbi një nga njerëzit më të rëndësishëm të kulturës bashkëkohore. Do të na mungojë vështrimi i tij për botën”, komentoi La Repubblica.
Kryeministri italian, Matteo Renzi e cilësoi Eco-n “një paradigmë të shkëlqyer intelektuali europian, me një intelekt unikal dhe një aftësi të palodhur për të parashikuar të ardhmen”. “Eshtë një humbje kolosale për kulturën, të cilës do t’i mungojë shkrimi dhe zëri i tij, mendimi i mprehtë dhe i gjallë, humanizmi i tij”, përfundoi Renzi.
Umberto Ecco dhe emra të tjerë të shquar të letërsisë italiane vendosën nëntorin e kaluar të largohen nga shtëpia botuese historike “Bompiani” -pasi iu shit botimeve Mondadori të familjes Bertlusconi- dhe të inkuadrohen në një shtëpi të re, të pavarur, me emrin “La Nave di Teseo”.
I martuar me akademiken Renate Ramge, Eco dha mësim në shumë universitete, posaçërisht në Bolonjë, ku ishte shef i katedrës së semeotikës deri në vitin 2007 që doli në pension.
Eco kishte shpjeguar se u mor vonë me letërsinë, pasi e konsideronte shkrimin e romaneve si një punë fëmijsh, diçka që nuk e merrte seriozisht.
“Unë jam filozof, unë shkruaj romane vetëm në fundjavë”, i kishte thënë Eco britanikes The Guradian vitin e kaluar.
Pas emrit të trëndafilit, botoi ndërmjet të tjerash: Lavjerrësi i Fukosë (1988), ishulli i ditës së mëparshme (1994), Flaka misterioze e mbretëreshës Loana (2004), Varreza e Pragës (2010), Numri zero (2015).
Paralelisht shkruajti me dhjetra ese, duke manifestuar shpesh një tendencë eklektizmi për estetikën mesjetare, për poetikën e James Joice, James Bond-in, historinë e bukurisë por edhe të shëmtisë.
Eco nuk e fshihte se i përkiste të majtës, por nuk ishte kurrë një shkrimtar i mbyllur në një kambanë qelqi. Vazhdonte të shkruante rregullisht kolonën e vet në revistën L’Espresso.
Dimensionet e gjera të shpirtit të tij nuk e kishin penguar të shqyrtojë me një sy kritik evolucionin e shoqërisë moderne. “Rrjetet sociale u dhanë të drejtën e fjalës legjioneve të idotëve, që më përpara nuk flisnin veçse nëpër bare, pasi kishin pirë ndonjë gotë verë, pa e dëmtuar komunitetin. Atëherë i detyronin menjëherë ta qepnin. Por sot kanë të njëjtën të drejtë fjale siç e ka dhe njeri me çmimin Nobel. Eshtë ofensiva e idiotëve”, kishte theksuar, siç vë në dukje të shtunën gazeta Il Messaggeo.
Eco dinte pesë gjuhë të huaja, mes të cilave greqishten e vjetër dhe latinishten. Jetonte midis Milanos, në një apartament të madh si labirinth, ku kishte bibliotekën me 30.000 vëllime, dhe shtëpisë së verimit në Rimini, një pronë historike ku dikur ndodhej një kolegj jezuit.
“Umberto Eco ishte një nga shkrimtarët dhe dijetarët e mëdhenj të kohës tonë. Ndërkaq, më shumë se sa për veprën e tij të përjetshme, ne do ta kujtojmë për madhështinë e tij, gjallërinë, besnikërinë e fuqishme dhe shoqërinë e tij të mrekullueshme”, i deklaroi CNN Bruce Nichols i shtëpisë botuese Houghton Mifflin Harcourt.
Tribuna
Ndaje me miqte