Vdes Bud Spencer gjiganti zemërmirë i filmave komikë
29 Qershor 2016
Ka vdekur në moshën 86 vjeçare aktori i famshëm Bud Spencer, protagonisti i njohur i filmave komiko-aksion, të njohur si “spagetti western”.
Bud Spencer, emri i vërtetë i të cilit ishte Carlo Pedersoli, e la frymën e fundit në Romë. “Nuk vuajti fare, ishim të gjithë rreth tij. Fjala e fundit që tha ishte ‘falemnderit’”, tha i biri, Giuseppe Pedersoli, duke folur për agjencinë ANSA.
Aktori italian u lind në Napoli më 1929, por më pas u transferua me familjen në Romë, ku filloi studimet për kimi, por u detyrua t’i linte në mes, pasi në 1947 familja e tij emigroi në Amerikën e Jugut. Carlo punoi për dy vjet si sekretar në një konsullatë të Italisë në Brazil; kjo e ndihmoi të mësonte në mënyrë perfekte portugalishten.
Dashuria e parë e tij ishte noti, dhe ai u bë italiani i parë që i përshkroi të 100 metrat stil i lirë nën 60 sekonda (në vitin 1950). Fitoi medalje bronzi në Lojërat Mesdhetare 1951, si dhe mori pjesë në dy Olimpiada (1952 dhe 1956), ku arriti deri në gjysmëfinale. Përveç notit ishte dhe një vaterpolist shumë i mirë, duke fituar titullin kampion i Italisë me Lazion.
Më vonë vendosi ta lejë sportin për t’iu kushtuar aktrimit dhe interpretoi role të vogla në disa filma. Ndërkohë, kishte kompozuar këngë për këngëtarë italianë, si dhe muzikë filmash.
Roli i tij i parë i rëndësishëm ishte në filmin spagetti-western “Zoti fal, unë jo”, të regjisorit Giuseppe Colizzi, që u shfaq në 1967.
Në vitet 1970, u bë i njohur në mbarë botën, për më shumë se 20 filma të tillë, ku luajti bashkë me partnerin e tij sykaltër Terence Hill (aktori gjithashtu italian Mario Girotti).
Ka dy versione për ndërrimin e emrit të Carlo pedersolit në Bud Spencer. Sipas të parit, atij i përlqente shumë birra Budweiser dhe kishte për idhull aktorin amerikan Spencer Tracy.
Versioni i dytë, jep një tjetër shpjegim për emrin, ndërsa mbeiemri mbetet për nder të aktorit amerikan. Sipas këtij versioni, ai përzgjodhi emrin Bud (që në anglisht i thonë gonxhes), ngase nuk i përshtetj fare trupit të tij të madh dhe shprehjes së vrazhdë të fytyrës.
Në vitin 2005 tentoi pa sukses të përfshihej në politikë duke kandiduar për këshilltar në Lkazio me partinë “Forza Italia”. Atëherë kishte thënë: “Në jetën time kam bërë gjithçka. Vetëm tri gjëra nuk kam bërë: balerin, kalorës dhe politikan. Baleti dhe hipizmi janë jashtë teme, kështu po e hedh veten në politikë”...
Tribuna
Ndaje me miqte