Vazhdon ankthi për Greqinë të hënën takohen liderët e Eurozonës
18 Qershor 2015
Liderët e Eurozonës do të zhvillojnë një samit urgjent të hënën e ardhshme, në përpjekje për të shmangur një falimentim të Greqisë, pas dështimit - në takimin e ministrave të financave të Eurozonës (Eurogrup)-, për të arritur një marrëveshje midis Athinës dhe kreditorëve.
“Vendosa të thërras një samit të Eurozonës të hënën, 22 qershor, ora 19,00. Eshtë momenti të diskutojmë urgjentisht për situatën e Greqisë, në nilvein më të lartë politik”, tha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, pak pas përfundimit të punimeve të Eurogrupit.
Ministrat e financave të Eurozonës, nuk arritën ndonjë progres në takimin e të enjtes në Lusemburg, vetëm 12 ditë para se Greqia të përballet me detyrimin e shlyerjes së një kësti prej 1,6 miliardë dollarë ndaj FMN-së.
“Për fat të keq ... është bërë shumë pak progres. Asnjë marrëveshje nuk duket në horizont”, deklaroi presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem. “Mbetet shumë pak kohë. Topi gjendet në fushën e Greqisë”, shtoi Dijsselbloem.
Siç vuri në dukje Dijsselbloem, në marrëveshjen e 20 shkurtit ka dy lloje fleksibiteti: Një për ndryshimin e objektivave pas vlerësimit të situatës ekonomike në Greqi dhe e dyta, zëvendësim të masave, por që do të propozohen nga Greqia, dhe përderisa ato vlerësohen nga institucionet dhe gjykohen si të kënaqshme.
Institucionet, shtoi presidenti i Eurogrupit, i përdorën të dy këto fleksibilitete, mirëpo pak masa të palës greke u vlerësua se janë të kënaqshme dhe konsultimet nuk avancuan.
“Dërguam një mesazh të fuqishëm që të kenë propozime të reja ditët e ardhshme”, tha më tej Dijsselbloem, duke shtuar se ende është e mundur arritja e marrëveshjes, mirëpo hapësirat kohore janë jashtëzakonisht të kufizuara.
“Topi është në anën e Greqisë”, tha presidenti i Eurogupit dhe i bëri thirrje Greqisë që ta rrëmbejë këtë “shans të fundit”.
Komisioneri për financat, Pierre Moscovici, e cilësoi si jashtëzakonisht serioze situatën, duke vënë në dukje se “po arrijmë në përfundim të lojës” dhe e ftoi qeverinë greke të kehet seriozisht në tryezën e negociatave.
Drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Christine Lagarde, deklaroi se institucionet bënë “propozime shumë të arsyeshme” dhe se pret propozime të reja nga pala greke, që të jenë me kredibilitet dhe të mund të zëvendësojnë masa të tjera. “Presim dhe shresojmë që ditët e ardhshme të shfrytëzohen nga autoritetet greke për t’u rikthyer me propozime që përmbushin kriteret”, përfundoi shefja e FMN.
Varufakis: “Momenti që liderët europianë të gjejnë zgjidhje”
Ministri grek i financave, Janis Varufakis, deklaroi pas përfundimit të punimeve të Eurogrupit se “po të pranohet propozimi ynë, do t’i jepet fund dramës”. Varufakis tha se pala greke dërgoi “një mesazh të fuqishëm, duke paraqitur një propozim të kompletuar” dhe theksoi se “është momenti që liderët europianë të gjejnë zgjidhje, ashtu siç presin qytetarët”.
“Shpjeguam se të dy palët kanë ardhur shumë afër, të paktën sa i përket anëve financiare. Propozimet tona për kompromis na sollën në 0,5% të GDP-së, pranë tezës së kreditorëve. Kjo diferencë prej 0,5% nuk e përligj ndërprerjen e negociatave”. theksoi.
“Për fat të keq, presidenca e Eurogrupit përzgjodhi të përqendrohet në dobësitë e palës greke dhe jo të të gjitha palëve”, vërejti ministri grek i financave.
“Nuk është momenti për të dhënë përgjegjësitë, por është momenti që liderët europianë të gjejnë zgjidhje, ashtu siç presin qytetarët e Europës”, tha më tej Varufakis.
“Ajo që ka nevojë ekonomia greke janë reformat e thella, dhe kjo është që prezantuam”, tha ministri grek.
Tribuna
Ndaje me miqte