Vassiliki Thanou kryeministre (për një muaj) e Greqisë
28 Gusht 2015
Kryetarja e Gjykatës së lartë të Greqisë, Vassiliki Thanou, është betuar si kryeministre e qeverisë teknike që do të zhvillojë zgjedhjet e parakohshme të vendit, në shtator.
Presidenti Prokopis Pavlopulos shpalli emërimin e zonjës Thanou pasi dështuan përpjekjet për krijimin e një qeverie koalicioni. Javën e kaluar, shefi i qeverisë, Aleksis Tsipras dha dorëheqjen e tij dhe të kabintetit, për të kërkuar një mandat të ri nga populli.
Vassiliki Thanou, 65 vjeç është e para kryeministre femër në historinë e Greqisë. Ajo u betua mbrëmjen e të enjtes, 27 gusht dhe menjëherë më pas shkoi në “Megaro Maksimu” - selinë e Kryeministrisë, për të marrë në dorëzim detyrën.
Në deklaratat e para Thanou theksoi se “objekti i punës së qeverisë teknike është kryesisht zhvillimi i zgjedhjeve, me integritet dhe normalitet..., mirëpo siç po shkojnë gjërat, konsideroj se kjo qeveri do të trajtojë edhe çështje kritike, si për shembull emigracionin, ndoshta dhe disa çështje të tjera”.
Qeveria e re
Përbërja e qeverisë së re pritet shpallet gjatë së premtes dhe më pas ministrat do të kryejnë betimin. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, kabineti i ri do të ketë 22 ministra, ndër të cilët edhe disa që kanë patur poste në qeveri të mëparshme si të PASOK-ut, edhe të Demokracisë së Re, por edhe në qeverinë e koalicionit, pas zgjedhjeve të qershorit 2012. Bën përshtypje edhe pjesëmarrja e këngëtares së njohur, Alkisti Protopsalti, në postin e ministres së turizmit.
Disa prej emrave në qeverinë e re:
Ministër i jashtëm: Petros Moliviatis, ministër i financave: Jorgos Huliarakis (shef i grupit të negociatorëve grekë me kreditorët), ministër i brendshëm: Antonis Manitakis, ministër i ekonomisë: Nikos Kristodulakis, ministër i mbrojtjes së qytetarit: Antonis Makridimitris, ministre e turizmit: Alkistis Ptopsaltis.
Zgjedhjet, më 20 ose 27 shtator
Pas betimit të qeverisë pritet të komunikohet shpërndarja e parlamentit dhe të shpoallet data e zgjedhjeve të reja të përgjithshme. Dy janë datat më të mundshme: 20 shtatori që ka kërkuar qysh në fillim Aleksis Tsipras dhe 27 shtatori që kërkon me insistim kreu i partisë së re “Uniteti Popullor”, (dalë nga përçarja tek SYRIZA), Panajotis Lafazanis.
Tribuna
Ndaje me miqte