Turqi rritja ekonomike në rënie për herë të parë që prej 2009
AFP
13 Dhjetor 2016
Ekonomia turke ka regjistruar rënie me rreth dy për qind në tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot duke shënuar rritjen e parë negative të vendit që prej vitit 2009.
“Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ka rënë me 1,8 për qind në raport me të njëjtën periudhë në vitin 2015 duke shkaktuar një rënie të menjëhershme të livrës turke”, njoftoi Zyra turke e Statistikave.
Ky kontraktim ndodhi pas rënies së shpenzimeve të konsumit me 3,2% gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë rënë me shtatë për qind.
Këto shifra tregojnë që paqendrueshmëria politike që mbretëron në Turqi që prej grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik ka prekur besimin e konsumatorëve.
Bëhet fjalë për shifrat e para të rritjes ekonomike t ëpublikuara që prej njoftimit nga Zyra turke e Statistikave javën e kaluar të një mënyre të re llogaritjeje të PBB-së, konform normave të Bashkimit Evropian.
Pas publikimit të shifrave të rritjes ekonomike, livra turke ka rënë në 3,53 dollarë kundër 3,48 që ishte më parë.
Ky kontraktim ekonomik është regjistruar ndërkohë që turizmi, të ardhurat e të cilit përbëjnë 4,4 për qind të PBB-së, është goditur nga atentate të shumta atribuar Shtetit Islamik ose të marra përsipër nga grupet e armatosura kurde si dhe nga grushti i shtetit në muajin korrik.
Ndaje me miqte