Tsipras: Greqia po del nga tuneli i takon një rol protagonisti
Tribuna
13 Mars 2017
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka bërë një ndërhyrje publike në prag të samitit të BE-së të 25 marsit 2017 që do të zhvillohet në Romë me rastin e 60 vjetorit të Unionit.
Në një artikull që publikohet të hënën në gazetën e Athinës, "Efimerida ton Syntakton", me titull “Europë me shumë shpejtësi apo me shumë alternativa”, Tsipras vë në dukje ndërmjet të tjerash:
“Politika e shtrëngesës dhe e kufizimeve të rrepta fiskale i rriti distancat dhe shpejtësitë ndërmjet ekonomive europiane dhe ka përkeqësuar akoma më shumë problemin e kohezionit social. Nga ana tjetër, kriza e refugjatëve erdhi në fuqizojë tendencat e ksenofobisë dhe të euroskepticizmit në shtresat sociale konservatore, të forcojë politikisht populizmin e ekstremit të djathtë dhe, sigurisht, të verë në provë unitetin, kohezionin dhe reputacionin e Unionit Europian në realizimin e angazhimeve dhe vendimeve të përbashkëta”.
Më tej, “pasiguria ekonomike dhe gjeopolitike përforcohet sa nga pasojat e Brexit-it, aq edhe nga të dhënat e pahartografuara që po rezultojnë nga zhvillimet në anën tjetër të Atlantikut. Ndërsa ballafaqimet kritike elektorale në vende të rëndësishme europiane gjatë këtij viti (...) po krijojnë një klimë shqetësimi në rritje jo vetëm për të ardhmen, por edhe për vetë ekzistencën e Unionit”.
Në këto rrethana, kryeministri grek kërkon të hapet dialogu dhe të merren vendime të guximshme. Vendime realiste dhe të realizueshme, siç thekson. “Eshtë e qartë se deklaratat e shteteve anëtare për një Europë me bashkëpunim gjithmonë e më të ngushtë, e ka humbur dinamikën dhe përmbajtjen e vet. Përkundrazi, ajo që duket se dominon është gjithmonë e më shumë tendenca për një Europë “a la cart”.
Në vazhdim, Tsipras rreshton disa shembuj karakteristikë: “Alpinistët që ngjiten duke pasur një litar që i ndërlidh, lëvizin me të njëjtën shpejtësi. Nëse e heqin litarin, krijohet një kuadër i ri, me mundësinë e shpejtësive të ndryshme. I mbetet fuqisë dhe aftësive të secilit që të mbetet në kontakt me skuadrën e më të fortëve apo të vazhdojë i vetëm në drejtimin që ai mendon. Kjo nuk do të thotë liri, por do të thotë eliminim i përgjegjësisë”, nënvizon kryeministri grek.
Nga ana tjetër, “po të garantojmë se që të gjithë jemi në një anije që shkon me shpejtësi konstante, nuk është e mundur që, meqenëse disa duan të rrinë në kabinat e tyre, ne t’u mbyllim dyert gjithë atyre që duan të dalin mbi kuvertë”.
Si konkluzion, “nëse nevojitemi një ripërcaktim të situatës së sotme, është më mirë të flasim jo për “Europën e shumë shpejtësive”, po për Europën e “shumë alternativave”. Nëse Europa e ditës së nesërme don t’u japë mundësinë atyre që duan më shumë të bëjnë më shumë dhe të synojnë nivele të ndryshme integrimi, kjo duhet të bëhet e mundur përmes kushteve konkrete, që do të garantojnë karakterin e hapur, demokratik dhe koherent të Unionit”.
Sipas kryeministrit grek, kjo praktikisht do të thotë: së pari, çdo diskutim duhet të bëhet në kuadrin e konventave ekzistuese. Së dyti, thellimi i mëtejshëm duzhet të marrë si të mirëqenë nivelin e sotëm të bashkëpunimit të forcuar dhe rrjedhimisht të hiqet dorë nga çdo mendim të ndarjes së strukturave ekzistuese si eurozona apo hapësira e Shengenit. Së treti, të hiqet dorë nga ideja e krijimit të klubeve të mbyllura të të fortëve apo to një bërthame të fuqishme brenda eurozonës. Së katërti, të evitohet dobësimi i politikave europiane të kohezionit dhe konvergimit.
Në vijim, Aleksis Tsipras përqendrohet në situatën e Greqisë. “Greqia, që për sfidë të disa dashmirëve gjendert shumë afër objektivave, po del nga një tunel i errët dhe i gjatë pas plot shtatë vjetësh. Populli grek ka mbajtur mbi shpatullat e veta një barrë të shpërpjestueshme në emër të Europës, përderisa u gjendëm në epiqendër sa të krizës ekonomike, aq edhe të krizës së refugjatëve. Dhe e ngritëm barrën, sepse ishte përzgjedhja jonë që të qëndrojë vendi ynë në bërthamën më të avancuar të integrimit, në eurozonë dhe në Shengen. Rrjedhimisht, na takon të kemi një rol protagonisti në diskutimin për të ardhmen e Europës”.
Mirëpo, në çdo rast, thekson Tsipras, “kjo strategji duhet të ketë në qendër një strategji europiane të riorientuar drejt zhvillimit dhe solidaritetit. Ndryshe, e çara ndërmjet institucioneve europiane dhe shoqërive europiane do të thellohet jo vetëm në vendet me ekonomi më të dobët, por edhe në ato me ekonomi të fuqishme”.
Në mbyllje të artikullit të tij, Tsipras sugjeron që “Europa progresiste, sindikatat, grupet sociale, hapësira politike e së majtës, social-demokracia dhe ekologjia, “të kërkojnë një rol të ri hegjemon në zhvillimet. Të punojnë së bashku, pa asnjë lloj egoizmi dhe paragjykimi, për krijimin e një axhende alternative përparimtare për Europën, që do të pretendojë maxhorancën demokratike, me objektiva kryesorë strategjikë forcimin e demokracisë, sanksionimin e punës dinjitoze, mbrojtjen e shtetit social dhe reduktimin e pabarazive sociale dhe rajonale”.
“Një axhendë e tillë”, përfundon Tsipras, “është e vetmja përgjigje eficente ndaj forcave të populizmit ekstremist të djathtë, të izolimit dhe të ksenofobisë dhe e vetmja mënyrë që ta mbajmë Europën të bashkuar”.
Ndaje me miqte