Trump: Veprimi ushtarak kundër Koresë së Veriut nuk është zgjedhja e parë
Tribuna
07 Shtator 2017
Presidenti amerikan, Donald Trump theksoi se një veprim ushtarak kundër Koresë së Veriut nuk është zgjedhja e parë e administratës së tij, ndonëse ai nuk e ka përjashtuar.
Pas një bisede telefonike me homologun e tij kinez, Xi Jinping, që iu kushtua krizës në Gadishullin Korean, Trump nuk e përjashtoi krejtësisht idenë e sulmit ushtarak.
“Ne do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha ai.
“Gjithçka lë të mendohet se të tjera rrugë mund të ndërmerren, që Koreja e Veriut të respektojë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar”, vazhdoi Trump.
Lidhur me bisedën telefonike të mërkurën me Presidentin kinez,Trump tha: “Patëm një telefonatë shumë të mirë, që zgjati për një kohë të gjatë”, siç raporton “Zëri i Amerikës”.
“Presidenti Xi, - tha ai, - dëshiron të bëjë diçka. Do të shohim nëse mund ta bëjë. Por ne nuk do të pajtohemi me atë që po ndodh në Korenë e Veriut. Besoj se Presidenti Xi pajtohet me mua 100 për qind. As ai nuk dëshiron ta pranojë atë që po ndodh atje".
I pyetur nëse po shqyrtonte veprime ushtarake kundër Koresë së Veriut, zoti Trump u tha gazetarëve: "Sigurisht që nuk është zgjedhja jonë e parë, por do të shohim çfarë do të ndodhë".
Ndërkohë, Televizioni shtetëror kinez tha se zoti Xi i deklaroi Presidentit Trump se Kina është e angazhuar për të çnuklearizuar Gadishullin Korean. Por Xi theksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe mjeteve paqësore.
Presidenti Trump është zotuar të ndalë tregtinë me çdo vend që bën biznes me Korenë e Veriut dhe Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin thotë se po punon për hollësitë e një plani të tillë, i cili do të kishte kryesisht në shënjestër Kinën.
Më shumë se 90 për qind e të ardhurave të eksportit të Koresë së Veriut vijnë nga Kina.
Ndaje me miqte