0030 210 33 18 483

Thanas Medi shkrimtar që të rrëmben me prozën e tij të mahnitshme

Sami MILLOSHI 29 Shtator 2017

Eshtë bërë vërtet e vështirë të gjesh libra të mirë. Sepse, të bombardojnë reklamat për mediokritetin. Revista dhe gazeta profesionale nuk ka. Kështu që nuk di se çfarë të zgjedhë njeriu të lexojë. Mua kësaj radhe më ka ndihmuar Agron Tufa, i cili diku përmendi emrin e Thanas Medit, si emër "...për t'u mbajtur mend". Romanin KOHE E DJEGUR të Medit e lexova pas dy romaneve të rinj, gjithashtu shumë të mire, pas ORA E ZOOPARKUT të Zija ?eles dhe PROFETI NGA PRAGA të Musa Ramadanit. Që në pesëdhjetë faqet e para të KOHE E DJEGUR ndjeva se kam të bëj me një prozator të mrekullueshëm. Meqë e kam mik në Facebook, (por nuk e kam takuar kurrë në jeten time), i shkrova në inbox Thanas Medit i entusiazmuar. Thanasi me një vetëpërmbajtje të admirueshme, më ktheu përgjigje me fjalë modeste "...Shpresoj të mos zhgënjehesh..." Unë, përsëri, i bindur në shijet e mia këmbëngula:" Ka zero shans të zhgënjehem nga proza jote...". Tani që e mbarova së lexuari romanin, mund të them pa pikën e modestisë së shtirur se jam krenar për shijet e mija estetike dhe u kënaqa po aq sa ç'jam kënaqur estetikisht me prozatorë të mëdhenj shqiptarë e të huaj. Pikë së pari, e mbi të gjitha Medi,me prozën e vet është vetvetja me të gjitha përmasat qe ngërthen kjo fjalë. Madje,unë kuptoj midis rreshtave, se kjo cilësi, vetvetja,ose e thënë në terma të njohura “origjinaliteti artistik”, është si të thuash kredoja më e shpallur e tij si autor. Eshtë e vërtetë që mua më kujton Mitrush Kutelin për ëmbëlsinë e fjalës dhe për rrokjen e atmosferës shqiptare. Por, ky nuk është veçse një iluzion. Sepse, në thelb, gjithshka që të jep emocione prej prozës së tij, është e vetja. E vetja është lënda jetësore e shndërruar në lëndë arti. E vetja është kamera me të cilën ka filmuar Lepushetin dhe Elinohorin. Të tijat janë tallazet e shpirtit që përballet me fortunat e jetës sa në Lepushet, sa në Elinohor. E tija është gjuha e përndritur dhe fraza gjithë lëng jete që vërehet në 360 faqet e romanit. Thanas Medi nuk është rrekur të na çudisë me eksperimente letrare. Jo, ai si të thuash ka vijuar në hullinë e një proze klasike. Ama, ka patur shumë sqimë dhe kujdes të jetë i papërsëritshëm në gjithçka. Mbi të gjitha me një sinqeritet gati gati fëminor në ritmin e rrëfimit dhe në detyrimin për t'ia shfaqur lexuesit deri në skutat më të padukshme botën e personazheve të romanit të tij. Lexuesi do të gjejë një skalitje skulpturore prej mjeshtri në personazhin e Azis Korbit, te Sonjës, të Elektres, të Anastasit, të Pavllo Xhorit, si personazhe të dorës së pare. Por, jo më pak të hijshëm dhe të sofistikuar janë edhe personazhet plotësues të tablose romantiko- tragjike të romanit KOHE E DJEGUR. Une e ndjej këtë roman në të gjitha indet e tij edhe për faktin se ashtu si Thanas Medi kam përvojen jetësore të emigrantit shqiptar, me një ndryshim të vogël se miku im jeton në Athinë dhe unë në Boston. Duket sikur kjo që thashë nuk ka fare lidhje me romanin. Dhe në një aspekt nuk ka. Po flas për letërsi fiction. Ama, sado i fuqishëm të jetë gjeneratori i fantazisë artistike ka nevojë për një "prizë" ku të fusë "spinën" e tij. Dhe kjo prizë, është një copë jete që e ke jetuar ti, ose dikush tjetër, që e ke parë me sytë e tu, por MUNDESISHT Ti Vetë. Thanas Medi ka të drejtë që me plot gojën të thotë se kjo është e vërteta artistike e asaj jete që kam jetuar vetë. Njëlloj, të themi, siç ka patur të drejtë Charles Bukowski të thotë se kjo është e verteta artistike e asaj jete që kam jetuar vetë. Ky është një plus i madh, dhe zakonisht këtë fat e kanë prozatorë që bëhen të dashur për lexuesin njësoj si kafja e mëngjesit apo si seksi me të dashurën kohë e pa kohë... Nuk mund të le pa vënë në dukje një humor të brendshem që e përshkon gjithe prozën e Medit, humor i cili është i gërshetuar hera herës me të papritura dramatike. Ashtu siç është krejt e dukshme se Medi vjen në prozë i ngjeshur mirë me armët e poetit ku shquan një lirizem i hollë ala Esenin. Unë mund të vazhdoja edhe me përsiatje për të dëshmuar se pse më tërhoqi si magnet mua romani KOHE E DJEGUR i Thanas Medit. Por, nuk po e bëj këtë, për t'ia lënë lexuesit të gjerë të rishijojë estetikisht fatin e Azis Korbit dhe te Sonja Diamantit, një Romeo dhe Zhuljetë krejt origjinale të dhënë mjeshtërisht prej pendës së Thanas Medit. Dhe së fundi, po e bëj publike, pa patur droje se miku im Thanas Medi do të më qortojë: unë i kam thënë atij se kemi detyrimin të shihemi ose në Boston ose në Athine... Se vetëm MALI ME MALIN NUK TAKOHEN... Thanasi më ka ftuar me dashamirësi në Athinë. Atje,ndoshta do të takojmë edhe një personazh të romanit të tij, Elektrën...

Ndaje me miqte