Si përfitohet Kompensimi i Solidaritetit nëse je emigrant në Greqi
02 Dhjetor 2016
Nga 1 janari 2017 do të fillojë në të gjithë Greqinë aplikimi për të përfituar Kompensimin social të Solidaritetit (Kinoniko isodima alilegjis). Kompensimi do të jepet për 700.000 familje që jetojnë në kushtet e një varfërie të madhe.
Kompensimi ka vlerën 200 euro në muaj për një person të moshës së rritur dhe 400 euro për një familje me katër anëtarë.
Aplikuesit do të mund ta bëjnë kërkesën në qendrën e shërbimit të qytetarëve (KEP), apo në shërbimet e asistencës sociale të bashkive.
Ndryshe, mund të aplikojnë nëpërmjet internetit, në adresën www.keaprogram.gr.
Përfshirja në program e përfituesve mund të bëhet në çdo moment, me kriter të ardhurat e gjashtë muajve të fundit.
Vlera e kompensimit varion në varësi të numrit të pjesëtarëve të familjes.
Një person që jeton i vetëm do të mund të përfshihet në program, nëse të ardhrat e tij gjatë gjashtë muajve të fundit para aplikimit, ishin nën 1.200 euro (domethënë, mesatarisht, 200 euro në muaj).
Një familje me katër anëtarë, e përbërë nga bashkëshorti, bashkëshortja dhe dy fëmijë të mitur, do të mund të përfshihet në program vetëm nëse të ardhurat janë më pak se 2.400 euro në gjashtë muajt e fundit para bërjes së kërkesës.
Përfshirja në program ka edhe kushte që tjera që lidhen me pasurinë e patundshme dhe vlerën e tatueshme të saj.
Përfituesit e kompensimit të solidaritetit do të gëzojnë edhe kujdesin shëndetësor që përfitojnë personat pa sigurime shoqërore, ushqim në shkollë për fëmijtë, si dhe faturë sociale për korrentin dhe ujin.
?farë kushtesh duhet të plotësojnë emigrantët
Përveç gjithë kushteve të përgjithshme, emigrantët duhet të kenë qëndrim të ligjshëm dhe të kenë bërë deklaratën tatimore. Pra, emigrantët që përmbushin këto dy kushte, mund të aplikojnë për programin. Në vazhdim, gjithë krieret e tjera si për të ardhurat apo pasurinë, do të jenë të njëjta për të gjithë aplikuesit, pavarësisht shtetësisë, racës dhe prejardhjes nacionale.
Ndaje me miqte