0030 210 33 18 483

Shtypi europian: Keqmenaxhim i fondeve për refugjatët në Greqi

TRIBUNA 28 Dhjetor 2016

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se Greqia e ka përballuar në mënyrën më të mirë krizën e refugjatëve. Zoti Tsipras e bëri këtë deklaratë gjatë një pritjeje në parlamentin grek, për 100 regugjatë të mitur që e kanë marrë rrugën e migrimit të pashoqëruar nga prindërit apo të afërmit e tyre, dhe që janë akomoduar në qendra të posaçme pritjeje. “Unë them se e kemi përballuar krizën në mënyrën më të mirë. Qindramijëra njerëz në ishujt tanë, vullnetarë në qendrat e refugjatëve dhe emigrantëve në të gjithë vendin, po ballafaqohen çdo ditë me vlerat tona kryesore”, tha Tsipras. Por vetëm pak orë më vonë, gazeta britanike The Guardian, publikoi një reportazh të zgjeruar, nga rezultojnë kritika për keqmenaxhim të fondeve, sa nga qeveria greke, aq edhe nga shërbimet për refugjatët të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian. Guardian vë në dukje se qeveria greke “që ka juridiksionin përfundimtar për funksionimin e kampeve, akuzohet se nuk ka shfrytëzuar fonde komunitare me vlerë 90 milionë euro, që të përmirësonte mjaftueshëm kushtet në kampet e refugjatëve, para ardhjes së dimrit”. Departamenti i ndihmës i BE, që njihet si Echo, i ka dhënë shërbimit të OKB-së për refugjatët më shumë se 14 milionë euro, me qëllim që të përgatiste për stinën e dimrit 50 kampe në Greqi, ku ndodhen më shumë se 50.000 refugjatë. 24 milionë të tjera u dhanë për projekte të ndryshme. Tani, të dy këto organizma akuzohen se i kanë shpërdoruar këto fonde, pas dështimit të përgatitjeve për dimrin, apo evakuimin e kampeve, para se të fillonin rreshjet e dëborës në Greqi, herët në dhjetor. “Përveç sigurimit të shtrojave dhe teshave të ngrohta, UNHCR pritej t’i përdorte fondet për t’i transferuar refugjatët nga çadrat në kontejnerë me ngrohje apo në shtëpi normale; të vendosin sisteme ngroheje në depot ku janë akomoduar refugjatët dhe të sigurojnë ujë të ngrohtë për gjithë kohën”, vëren Guardian. Mirëpo, “muaj më pas, thuajse gjysma e refugjatëve nuk janë transferuar në struktura normale, ndërsa Kombet e Bashkuara pranuan se nga 45 kampet aktive, vetëm në tetë prej tyre refugjatët u larguan nga çadrat dhe u vendosën në kontejnerë”, vë në dukje gazeta britanike. Një përfaqësues i departamentit të ndihmave të BE-së. Citohet nga gazeta Guardian të ketë thënë se Brukseli u ka dhënë direkt insitucioneve në Greqi rreth 800 milionë euro në total, për të përballuar krizën e refugjatëve.

Ndaje me miqte